Vendim që mund tëndikojë në marrëdhëniet ndërshtetërore

Qeveria e Malit të Zi ka vendosur të hënën (27 tetor 2025) që të pezullojë përkohësisht regjimin pa viza për shtetasit e Turqisë.
Ky vendim është marrë në përputhje me nenin 10 të Rregullores për Qeverinë, pa mbajtur seancë, dhe bazuar në pëlqimin e shumicës së anëtarëve të Qeverisë.
Në sqarimin e vet, Qeveria ka thënë se Mali i Zi merr plotësisht parasysh interesat dhe statusin e afërsisht 14 000 qytetarëve të Republikës së Turqisë që ndodhen në territorin e saj dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar që qëndrimi i tyre të jetë i papenguar dhe në përputhje me ligjin.
Mirëpo kjo masë e Qeverisë së Malit të Zi ka hasur në kritika dhe reagime të ndryshme.
Në një reagim të saj, Forca e Re Demokratike ka shprehur shqetësim dhe e ka cilësuar këtë një vendim të shpejtuar të qeverisë, “duke pasur parasysh se kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet e mira në mes të dy shteteve, kurse situata e krijuar ka pasur mundësi të rregullohet përmes sistemit të drejtësisë dhe jo të ndikohet në marrëdhëniet diplomatike”.
Kjo parti politike konsideron se sistemi i kontrollimit të qytetarëve të huaj duhet të jetë më efikas dhe më i rregullt nga organet kompetente, “sepse ky nuk është rasti i parë që ndodh në Mal të Zi, dhe kjo tregon se organet kompetente duhet të jenë me të vëmendshme ndaj këtyre dukurive dhe se duhet të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar reagimet e tilla të personave me rrezikshmëri të lartë”.
Kjo masë e Qeverisë së Malit të Zi u ndërmor pas disa rasteve të dhunës dhe incidenteve të ndodhura në Podgoricë dhe qytete të tjera, ku të përfshirë ishin shtetas të Turqisë që jetojnë dhe punojnë në Malin e Zi, që kanë ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat