Mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian si dhe mbështetja ndaj NATO-s, anëtar i cilit Mali i Zi është prej vitit 2017, është në rënie të ndjeshme.
Këtë tregojnë rezultatet e hulumtimit të opinion publik, të kryer nga Qendra për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (CEDEM).
Kur bëhet fjalë për BE-në, 71.3 për qind e të anketuarve e mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi, ndërsa 17.5 për qind besojnë se ai nuk duhet të jetë anëtar. Në të njëjtën kohë, 11.3 për qind e të anketuarve nuk kanë një mendim specifik.
Krahasuar me sondazhin e opinionit publik të marsit 2024, gjithashtu të kryer nga CEDEM, mbështetja për anëtarësimin në BE ka rënë për shtatë për qind.
Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në NATO, sipas sondazhit të fundit, mbështetja është 42 për qind. Kjo është 7.5 për qind më pak se vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, një total prej 30.7 për qind e të anketuarve e kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Ndërkaq sa i përket punës së Qeverisë së Malit të Zi, 38 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur të kënaqur, përkundrrejt 40 për qind që nuk janë të kënaqur me qeverinë e drejtuar nga kryeministri Millojko Spajiq, ndonëse ai është politikani i vlerësuar me notën më të lartë nga të gjithë politikanët në Malin e Zi.
CEDEM-i ka hulumtuar edhe mbështetjen që kanë forcat e ndryshme politike në Malin e Zi, ku prin Partia Demokratike e Socialistëve me 25.8 për qind, si dhe institucionet e ndryshme shtetërore.
(Kohapress)
