Përmes një deklarate të përbashkët, partitë politike – Forca e Re Demokratike, Partia Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Aksioni i Bashkuar Reformist (URA) dhe Partia Demokratike e Socialistëve kanë shprehur qëndrimin ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me shfrytëzimin e mundshëm të burimeve më të rëndësishme të komunës së Ulqinit, të cilat kanë qenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik gjatë ditëve të fundit.
Edhe pse në deklaratën e tyre nuk përmendet konkretisht, bëhet fjalë për firmosjen e marrëveshjes ndërmjet kompanisë Eagle Hills Montenegro të biznesmenit arab Muhamed Alabbar me kompaninë Cungu&Co të biznesmenit të njohur nga Ulqini, Nazif Cungu, dhe kompaninë Bond nga Podgorica, për krijimin e ndërmarrjes së përbashkët Eagle Hills Ecovillage Shas, me qëllim të ndërtimit të ekofshatit në zonën e liqenit të Shasit.
Në deklaratën e këtyre forcave politike thuhet se ato theksojnë qartë dhe pa mëdyshje se me burimet e komunës së Ulqinit mund dhe duhet të menaxhojnë vetëm qytetarët e Ulqinit, pushteti i tyre vendor dhe institucionet kompetente në përputhje me interesin publik.
“Duke u nisur nga praktikat evropiane, respektimi i ligjit dhe parimeve të transparencës, si dhe duke marrë parasysh konkluzionet e mëparshme të miratuara nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit, theksojmë se nuk ekziston asnjë mundësi ligjore që burimet më të vlefshme të komunës t’i vihen në dispozicion ndonjë biznesmeni, individi apo kompanie pa respektuar procedurat e përcaktuara me ligj”, thekson deklarata.
Nënshkruesit e deklaratës përkujtojnë se me përpjekje të përbashkëta, në pranverën e këtij viti, kanë mbrojtur Plazhin e Madh dhe edhe një herë shprehin mirënjohje të thellë për sektorin civil, partnerët ndërkombëtarë dhe qytetarët e shumtë nga i gjithë Mali i Zi që mbështetën pa rezerva aktivitetet e tyre.
“Megjithatë, duket se beteja ende nuk ka përfunduar, prandaj u bëjmë thirrje të gjithëve që të mos veprojnë individualisht, por t’i bashkojmë forcat për të mbrojtur burimet tona dhe për t’i vënë ato në funksion të qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që t’u shërbejnë brezave të tanishëm dhe të ardhshëm”, thuhet në deklaratë.
Ata nënvizojnë se “vizioni i zhvillimit të Ulqinit nuk mund të ndërtohet në mënyrë individuale dhe të çrregullt, sipas dëshirës së individëve nga vendi apo nga jashtë, kushdo qoftë ai, por vetëm në bashkëpunim me pushtetin lokal – ashtu siç e përcakton ligji dhe interesi i vërtetë publik”.
Nënshkruesit janë të një mendimi se edhe kur bëhet fjalë për liqenin e Shasit, i cili është një nga perlat e komunës së Ulqinit, por edhe të Malit të Zi, një pasuri natyrore dhe kulturore me rëndësi ndërkombëtare, pavarësisht strukturës pronësore të atij territori, zhvillimi strategjik i këtij lokaliteti duhet të përcaktohet nga Komuna e Ulqinit në bashkëpunim me komunitetin lokal.
“Të bindur se ndërhyrjet jotransparente, të nxituara dhe shantazhuese ndaj qytetit tonë dhe burimeve të tij do t’i përkasin së kaluarës, i ftojmë të gjithë aktorët dhe palët e interesuara që së bashku të zhvillojmë Ulqinin, në përputhje me parimet unanimisht të miratuara dhe dokumentet detyruese që janë fryt i një konsensusi të gjerë shoqëror”, përfundon deklarata e përbashkët.
(Kohapress)
