Paralajmërohet ndërtimi i ekofshatit unik në Shas

Kompania Eagle Hills Montenegro e biznesmenit arab Muhamed Alabbar ka firmosur të enjten (2 tetor 2025) në Ulqin marrëveshje me kompaninë Cungu&Co të biznesmenit të njohur nga Ulqini, Nazif Cungu, dhe kompaninë Bond nga Podgorica, për krijimin e ndërmarrjes së përbashkët Eagle Hills Ecovillage Shas, me qëllim të ndërtimit të ekofshatit në zonën e liqenit të Shasit.
Partnerët kanë paralajmëruar se ky projekt, të cilin e kanë cilësuar si unik, do të përfshijë ndërtimin e kapaciteteve akomoduese, wellness, shërbyese, rekreacioni etj.
Presidenti i kompanisë Eagle Hills, Mohamed Alabbar, e ka cilësuar këtë ditë si një fillim të madh.
“Ju sigurojmë se do të bëjmë diçka unike dhe të veçantë. Zakonisht, çdo gjë që fillon nga e para duhet të zgjasë 12 muaj në mënyrë që gjithçka të shkojë mirë me arkitektët dhe projektuesit. Ndërtimi do të zgjasë 24 deri në 30 muaj. Por ajo që do të bëjmë është diçka kaq e veçantë, një vend që duhet ta vizitoni kur të vini në Mal të Zi, dhe kur ta vizitoni, nuk do të doni të largoheni”, ka thënë ai.
Pronari i kompanisë Cungu&Co, Nazif Cungu, përndryshe ish-kryetar i Komunës së Ulqinit dhe i Forcës së Re Demokratike, ka thënë se për një kohë të gjatë kanë pritur një partner strategjik dhe se beson që Ulqini me këtë projekt do të fitojë një investim të admirueshëm.
“Nga nënshkrimi i sotëm, mendoj se të gjithë do të dëgjojnë për Shasin dhe se të gjithë do të vijnë, dhe shpresoj se do të jemi mikpritës po aq të mirë sa kemi qenë deri më tani. Kjo është shumë e mirë për sipërmarrësit tanë. Do të bëjmë çmos që t’i angazhojmë ata”, ka thënë ai.
Ndërsa përfaqësuesi i Bond, Nikolla Kostiq, një ndërmarrje e panjohur e cila është partner në këtë projekt, ka thënë se beson që ky është një hap i fuqishëm investues për tërë Malin e Zi.
Kompania Eagle Hills Montenegro e biznesmenit Mohamed Alabar ishte në qendër të opinionit para disa muajsh, sidomos atij në Ulqin, për shkak të projektit për marrjen me qira 99-vjeçare të Plazhit të Madh të Ulqinit, gjë që u kundërshtua nga Komuna e Ulqinit dhe komuniteti lokal, organizatat joqeveritare, aktivistët civilë etj.
Më pas, Alabar aplikoi dhe fitoi në tenderin për marrjen me qira të disa plazheve në Ulqin, prej të cilave më pas hoqi dorë.
Nga Komuna e Ulqinit, e cila ka qenë kundër projektit të Alabarit për Plazhin e Madh, duke organizuar edhe protesta, deri tani nuk janë deklaruar lidhur me marrëveshjen e kompanisë Eagle Hills Montenegro me kompanitë Cungu&Co dhe Bond.
Ndërsa aktivistja e shoqërisë civile dhe kryetarja e Shoqatës “Martin Schneider – Jacoby”, Zenepa Lika, në një reagim në profilin e saj në rrjetin shoqëror Facebook ka shkruar se nëse i quajmë gjërat me emër të vërtetë, është e qartë se ekonomia lokale ishte kundër investimeve në tokën shtetërore kryesisht për të mbrojtur interesat e veta private.
“Pa dyshim, Shasi do të shërbejë si trampolinë për marrjen nën kontroll të Plazhit të Madh – gjë që konfirmohet edhe një herë nga këto ngjarje. Alabbari ka një agjendë të qartë që e zbaton në prapaskenë”, ka thënë ajo.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat