Bashkatdhetarët tanë nga Malësia, por dhe nga të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi, pavarësisht se fizikisht e kanë lënë vendlindjen, kanë qenë përherë krah saj në çdo rast dhe nevojë që ka pasur vendi, përmes donacioneve të ndryshme në të gjitha fushat e jetës.
Se kontributi i tyre vërehet kudo dhe në çdo cep, e dëshmojnë veprat e ndryshme, objektet, monumentet, infrastruktura rrugore dhe shumë sfera të tjera të cilat kanë njohur zhvillim të hovshëm, pikërisht nga kontributi i tyre i pakursyer.
Në mesin e njerëzve human që ka mërgata jonë, të prirë e të gatshëm për të dhënë në çdo rast e nevojë, dallohet edhe veprimtari Mark Nikollë Lulgjuraj nga Malësia, i cili prej mbi 45 vitesh jeton dhe vepron në SHBA, por njihet si bamirës i denjë e filantrop ndaj vendlindjes së tij, Malësisë, në shumë fusha.
Kontributi i tij i fundit ishte investimi për ndërtimin e një rrugë të re, të zgjeruar dhe të asfaltuar, që çon nga Kisha e Grudës në fshatin Llofkë deri në fshatin Selisht, rrugë e cila lidhet me fshatrat e Trieshit, një investim ky i konsiderueshëm.
Në prononcimin për media, Mark Nikollë Lulgjuraj tregoi për lidhjen e fortë që ka me vendlindjen e tij, Malësinë, duke thënë se fizikisht gjithë ato vite është atje, por ëndrrat i ka në Malësi.
Ai tregoi se gjatë veprimtarisë së tij në SHBA ka shënuar sukses duke i hyrë afarizmit dhe se dëshira e tij ka qenë që të investojë në Malësi, veçanërisht për personat në nevojë.
Ndër kontributet e tij të shumta ai veçoi ndihmat ndaj të sëmurëve, ndaj atyre që kanë pasur nevojë për banesa, investimet në shkolla, etj.
Ai foli edhe për ndërtimin e parkut të madh të ngritur para disa vitesh po në vendlindjen e tij, në fshatin Selisht, rrethimin e varrezave të fshatit dhe rindërtimin e shtëpisë së stërgjyshit.
I gjithë ky investim, siç tha ai, por dhe investimi në çdo sferë tjetër në Malësi që ka bërë ai për vendlindjen, kap shifra të larta të të hollave, por siç tha, i ka bërë përherë me zemër.
I pyetur se çfarë ka qenë shtysa që të nisë kontributin e tij në shumë fusha të jetës, Lulgjuraj përmendi se si fëmijë ka qenë i varfër dhe se jetën e ka kaluar me shumë vështirësi.
“Kanë qenë vështirësi të jashtëzakonshme, prandaj i kuptoj ata që janë në skamje. Fëmijëve për Krishtlindje përpiqem t’ua gëzoj zemrat, se kur e shikoj atë buzëqeshjen e tyre në fytyrë, ajo përbën një pasuri për mua. Gjithashtu, edhe personat që janë të sëmurë, më kënaqet shpirti kur i ndihmoj,” thekson Lulgjuraj.
I pyetur se çfarë ëndrrash apo dëshirash ka ai ende për Malësinë në të ardhmen, ai përmendi dëshirën që të rinjtë dhe të rejat të arsimohen, por dhe të martohen dhe të trashëgohen.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, i pranishëm në këtë aktivitet, e konsideroi hapjen e rrugës në fjalë si të një rëndësie të veçantë.
“Kjo rrugë lidh Malësinë. Përmes saj nuk ka nevojë të shkohet në komuna të tjera siç ka qenë rasti më parë, por tani nga Gruda shkohet në Triesh përmes kësaj rruge,” u shpreh Gjelaj.
Ai më tej ka folur edhe për investime të tjera që janë kryer në Malësi, ato që janë në ndërtim e sipër dhe për ato që janë planifikuar në vazhdim.
Ai e falënderoi Mark Nikollë Lulgjurajn për kontributin e dhënë për hapjen e kësaj rruge.
“Dhe jo vetëm kjo, por dhe për shumë investime të tjera që Marku, si humanist i njohur në vendin tonë, kontribuon,” u shpreh Gjelaj.
Pas ceremonisë së inaugurimit, Mark Nikollë Lulgjuraj shtroi një sofër të begatë për të gjithë të pranishmit që ishin nga Malësia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.
Të njëjtën natë që u bë aktiviteti për rrugën, në Sheshin “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” u organizua “Nata e diasporës”.
Mërgata jonë në SHBA, por dhe gjetiu, e cila ka qenë përherë e veçantë, me njerëz filantropë, vazhdon të mbetet gur themel i zhvillimit dhe avancimit të jetës në vendlindje.
t. u.
