Komuna e Ulqinit ka njoftuar se ka siguruar autobusët e parë për transportin publik dhe për transportin e organizuar të nxënësve, me kapacitet prej 22 ulësesh, të modelit Iveco Daily, prodhim i vitit 2025.
Në deklaratën për shtyp thuhet se kjo ngjarje e rëndësishme për qytetin e Ulqinit ka për qëllim përmirësimin e qarkullimit urban dhe lehtësimin e komunikacionit, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për nxënësit dhe qytetarët tanë.
“Ky shërbim i ri synon të ofrojë një alternativë të qëndrueshme dhe më të sigurt për lëvizjen brenda qytetit, si dhe kushte komode dhe standarde më të larta sigurie për udhëtim”, thekson deklarata, duke shtuar se në procedurë të tenderimit janë edhe tre autobusë të tjerë, të cilët pritet të blihen deri në fund të vitit 2025.
Mungesa e transportit publik konsiderohet si një ndër mangësitë e Komunës së Ulqinit në ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve, sidomos gjatë periudhës së verës.
(Kohapress)
