Ruajtje dhe kultivim i vlerave të trashëguara

Ky manifestim, që tash e mbi dy dekada mbledh një publik të konsiderueshëm nga të gjitha viset e Malësisë dhe nga diaspora shqiptare, e cila çdo vit e hijeshon këtë aktivitet, promovon, ruan dhe kultivon vlerat autoktone të zonës përmes tingujve të fyellit, çiftelisë, lahutës, këngës, valles dhe veshjeve kombëtare

Manifestimi tashmë tradicional kulturor-artistik “Logu i Bjeshkës” u organizua edhe këtë vit nga Shoqata Kulturore-Artistike “Besa”, në bjeshkën e Koritës, të dielën më 3 gusht, datë që përkon me Shën Shtjefnin dhe që vendasit e njohin si Dita e Bjeshkatarëve.
Ky manifestim, që tash e mbi dy dekada mbledh një publik të konsiderueshëm nga të gjitha viset e Malësisë dhe nga diaspora shqiptare, e cila çdo vit e hijeshon këtë aktivitet, promovon, ruan dhe kultivon vlerat autoktone të zonës përmes tingujve të fyellit, çiftelisë, lahutës, këngës, valles dhe veshjeve kombëtare.
Mbi të gjitha, ky aktivitet promovon edhe bukurinë e gruas malësore, ku në nderim të saj dhe të xhubletës, si simbol i identitetit, u mbajt një sfilatë e vajzave me xhubleta në skenë.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i SHKA “Besa”, Dedë Nikprelaj u shpreh se “këtu u mblodhëm për të kujtuar dhe festuar rrënjët tona me tingujt e këngës dhe valles si pjesë e historisë dhe trashëgimisë, e cila përcillet nga brezi në brez.”
Ai përshëndeti në veçanti bashkatdhetarët nga diaspora, të cilët, siç tha, nuk po e harrojnë këtë vend, por me përkushtim dhe veprat e tyre bëjnë që Malësia të lulëzojë.
“Faleminderit diasporës që, edhe pse larg me trup, jeni gjithmonë afër që të kontribuoni me zemër”, u shpreh Nikprelaj.
Ai falënderoi posaçërisht të gjithë ata që përmes një aksioni donacioni grumbulluan një shumë të konsiderueshme mjetesh financiare, që ndihmuan në vazhdimin e veprimtarisë së kësaj shoqate kulturore-artistike.
Në përmbyllje të fjalës së tij përshëndetëse, ai bëri thirrje që trashëgimia kulturore të ruhet dhe të mbrohet me përkushtim.
“Sepse në të gjendet identiteti ynë dhe historia që nuk duhet të humbet. Le të jetë ky log frymëzim për të gjithë ne, që të mbetemi të bashkuar, krenarë dhe të palëkundur në ruajtjen e kulturës dhe identitetit tonë: riteve, zakoneve, veshjes kombëtare, gjuhës dhe asaj që na bën shqiptar”, u shpreh Nikprelaj.
Kryetari i SHKA “Besa” falënderoi gjithashtu të gjithë ata që mundësuan mbajtjen e këtij aktiviteti kulturor dhe artistik.
Në këtë manifestim kulturor, publiku u argëtua nga këngëtarë dhe shoqata kulturore-artistike nga Malësia dhe Plava e Gucia.
Ky manifestim tradicional synon që në këtë kohë të teknologjisë digjitale të avancuar, të promovojë etnokulturën, folklorin dhe veshjet tradicionale kombëtare, në mënyrë që thesari i pasur kulturor e kombëtar të ruhet e të avancohet për t’ua transmetuar atë brezave pasardhës.t. u.

Të fundit

më të lexuarat