Në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, të premten mbrëma, më 25 korrik 2025, Qendra Kulturore-Informative “Malësia” organizoi promovimin e librit “Femicidi – Gruaja ndërmjet pabarazisë zakonore dhe civilizimit të vdekjes” të akademikut, Prof. dr. Anton Kolë Berishaj.
Në sallën e mbushur me adhurues të fjalës së shkruar, Prof. dr. Frashër Demaj, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dha një biografi të detajuar e të pasur të Anton Kolë Berishajt, duke shpalosur rrugëtimin e tij akademik dhe kontributin e çmuar, veçanërisht në Kosovë.
Ai tha se njëri nga botimet e fundit të ASHAK-ut është edhe libri “Femicidi – Gruaja ndërmjet pabarazisë zakonore dhe civilizimit të vdekjes” i autorit Berishaj.
Demaj, duke e vlerësuar akademikun Berishaj si studiuesin më të spikatur jo vetëm për çështjet sociologjike, por edhe për rezultatet shkencore në kuadrin e përgjithshëm të shkencave shoqërore në Kosovë, theksoi se vepra e tij e fundit është shembulli më i mirë për angazhimin e tij të vlerësuar kërkimor-shkencor në fushën e sociologjisë.
Në mungesë fizike të saj, u lexua recensioni i Sibel Halimit, doktorante në Shkencat e Sociologjisë dhe drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, e cila në kumtesën e saj thekson se libri ngrihet si një akt i rrallë sociologjik dhe një studim që merr përsipër një barrë të rëndë filozofike dhe sociologjike.
“Në faqet e tij, ky studim fton lexuesin të rishohë vetveten dhe botën e tij si një strukturë pushteti i shtrirë në kohë dhe hapësirë. Një pushtet që nuk ka lindur brenda një epoke të vetme, as nuk është produkt i vetëm i zakonit apo i fesë, por një përzierje e përmbajtjeve të thella mitologjike, ritualeve, kodit moral dhe së drejtës zakonore që për shekuj me radhë ka ndërtuar trupin e grave si një territor të patrulluar nga rregulla, dënime dhe krime”, thuhet në recensionin e saj.
Më tej, duke iu referuar autorit, kumtesa thekson se femicidi është kulmimi i një procesi të gjatë të shkatërrimit simbolik, ku trupi i gruas humb statusin e subjektit dhe shndërrohet në objekt që shërben dhe ndëshkohet.
“Ky studim nuk ka për qëllim të na japë një rezume krimesh, as një përmbledhje statistikash por të na e kthejë vëmendjen te gjeneza, te përplasja e pashmangshme midis modernitetit dhe relikteve të pabarazisë që vazhdojnë të banojnë në vetë brendësinë e civilizimit”, shprehet ndër të tjera Halimi në recensionin e saj.
Ndërkaq, Prof. dr. Anton Vukpalaj, profesor në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke shpalosur një këndvështrim të tij për këtë vepër studimore, tha se libri “Femicidi – Gruaja ndërmjet pabarazisë zakonore dhe civilizimit të vdekjes” është një studim i rrallë në peizazhin e sociologjisë shqiptare dhe “ndoshta i pari që trajton në mënyrë sistematike, teorike dhe historike fenomenin e femicidit”.
“Ky libër është një akt i thellë kritik ndaj një shoqërie që e deklaron progresin, por që jo gjithmonë e garanton jetën më elementare. Ai e vendos femicidin në zemër të debatit politik dhe etik duke ngritur një pyetje të parehatshme: A mund ta quajmë veten të civilizuar kur gratë vriten në mënyrë sistematike? A është kjo një çështje private apo një krizë e lirisë dhe demokracisë?”, u shpreh Vukpalaj.
Duke folur për konceptin e “civilizimit të vdekjes”, që trajtohet në libër, ai tha se ky nuk është vetëm një nocion teorik, por një pasqyrë ku shohim fytyrën e vërtetë të shoqërisë sonë dhe sfidën që na pret.
“Të ndërtojmë një rend ku jeta e grave nuk është më e rrezikuar, por e garantuar si themel e çdo ideje përparimi”, tha Vukpalaj.
Ai shtoi se në këtë libër femicidi nuk trajtohet si një akt ekstrem dhune, por si një krim – e krim politik – dhe një dhunë e drejtuar, e qëllimshme dhe sistematike që synon të eliminojë gratë pikërisht sepse janë gra.
“Në një kapitull të veçantë autori e analizon dhunën e ushtruar ndaj grave në kontekstin e spastrimit etnik në Kosovë. Por dhuna nuk kufizohet vetëm në kohë lufte, por edhe në kohë paqeje. Femicidi vazhdon si një realitet i përditshëm që sfidon çdo pretendim për barazi, demokraci apo përparim”, tha ndër të tjera Prof. dr. Anton Vukpalaj.
Autori, shtoi ai, me një qasje të thellë analitike dhe ndërdisiplinare na udhëheq në një udhëtim të dhimbshëm, por të domosdoshëm, “për të kuptuar rrënjët sistematike të dhunës ndaj grave dhe mënyrën se si ajo vazhdon të përsëritet dhe të justifikohet brenda strukturave shoqërore”.
“Autori e vendos femicidin në qendër të debatit publik dhe akademik duke kërkuar që shoqëria të mos qëndrojë më indiferente përballë kësaj tragjedie të vazhdueshme. Në këtë mënyrë libri e tejkalon kufirin e studimit teorik. Ai bëhet një akt i angazhuar për drejtësi dhe barazi”, theksoi Prof. dr. Anton Vukpalaj.
Vetë autori i librit, Prof. dr. Anton Kolë Berishaj tha se përpjekja e tij për të nxjerrë në dritë këtë vepër ka qenë një përpjekje që buron jo rastësisht nga brendësia, nga edukata, nga jeta, nga Malësia, nga shqiptaria, “por nuk fokusohem vetëm në botën shqiptare, por në botën në përgjithësi në raportet gjinore”.
Libri “Femicidi – Gruaja ndërmjet pabarazisë zakonore dhe civilizimit të vdekjes” është promovuar fillimisht më 13 qershor 2025 nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, përkatësisht nga Seksioni i Shkencave Shoqërore, në mjediset e kësaj akademie.
Ky botim trajton një nga fenomenet më komplekse të shoqërisë njerëzore: raportet gjinore dhe pozitën e gruas në kontekstin historik, kulturor dhe shoqëror. Përmes një qasjeje të thellë analitike, autori shqyrton mënyrat e krijimit të marrëdhënieve ndërgjinore, duke u fokusuar në pozitën e gruas në familje, martesë dhe shoqëri.
Fenomeni i femicidit shqyrtohet në kontekstin historik dhe sociokulturor të shoqërisë.
Akademik Anton Kolë Berishaj ka lindur në Priftën të Malësisë, në vitin 1954.
Është profesor i sociologjisë dhe filozofisë, me një karrierë të gjatë në Universitetin e Prishtinës si dhe në disa universitete evropiane.
Është autor i disa librave shkencorë, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ka mbajtur pozita udhëheqëse në institucione akademike dhe projekte ndërkombëtare.
t. u.
