Takimet e sivjetme të Hotit të Kujit u kryen me sukses, pohoi shumë e gëzuar piktorja e njohur Kaltrina Hoti, e shkolluar në SHBA, dhe zonja e shtëpisë e kësaj veprimtarie të rëndësishme etnokulturore. Ashtu tha edhe përfaqësuesi i vendit, Ibër Hoti.
Më 10 korrik, në Hotin e Kujit të komunës së Plavës jehoi lahuta e Festivalit të shtatë të radhës – “Lahuta, Okarina, Polifonia”, me organizimin e Sokol Plakollit të palodhshëm, nga “Shkabat” e Prishtinës. Kishte lahutarë edhe nga Kelmendi e Rugova: Dinë Sinanaj, Hysen Kurtaj, Asllan Shala, Pretash Nilaj, Xhavit Balidemaj.
U përurua edhe libri studimor i Zymer Ujkan Nezirit, kushtuar Eposit të Kreshnikëve sot, në pesë shtete të Ballkanit, për të cilin foli Prof. dr. Albin Sadiku nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ndërsa autori i librit tha se epika jonë tashmë ka emër të madh edhe në botën e shkencës në Evropë dhe në qendrat e mëdha studimore, nga Harvardi i famshëm amerikan e deri në Akademinë e Shkencave të Kinës.
Ishin të rëndësishme dhe shumë inkurajuese fjalët e ambasadores së Shqipërisë në Podgoricë, znj. Zhaklina Peto, po edhe të konsullit të Kosovës, z. Ejup Ismajli. U veçua edhe prania e intelektualit të kësaj ane, Binak Ulaj, veteran i Lëvizjes Kombëtare. Aktori Halil Tetaj për të pranishmit u paraqit me vargje të zgjedhura nga “Lahuta e Malcisë” e Gjergj Fishtës. Ishte tejet e rëndësishme edhe prania e ekipeve televizive nga Kosova – RTK dhe Fontana.
Drejtuese e përgjegjshme dhe e suksesshme e Takimeve të Hotit të Kujit ishte studentja e këtushme, Ledina Haxhaj, pjesëtare e këtij fisi të nderuar të Malësisë së Madhe dhe emër i njohur në historinë e Shqipërisë së Veriut.
Me valle të vajzave të Hotit dhe të Shoqatës “Malësia e Rozhajës” – Tregovishtë, me veprimtarin Ali Daci, u mbyll ky manifestim në trojet e familjeve Haxhaj, Sinanaj, Hysenaj, Mujaj, Mehaj, pasardhës të Dedë Nikës, që dhanë burra të shquar e trima, por sot shumica e tyre jetojnë përmallshëm në mërgim për këto vende me bukuri të rralla të Alpeve Shqiptare. Pritja ishte tejet vëllazërore, krahas drekës dasmore të shtruar për të gjithë pjesëmarrësit e Takimeve.
Zymer U. Neziri
