Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në mbledhjen e mbajtur më 14 korrik 2025, ka zhvilluar votimin për avancim në titull të tre akademikëve të asociuar, votimin për një akademik në fushën e historisë, pranimin si anëtar nderi të një personaliteti të shquar në fushën e shkencës, si dhe zgjedhjen e një anëtari të ri të jashtëm të Akademisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. dr. David Kalaj është zgjedhur anëtar i jashtëm i kësaj akademie.
“Prof. dr. David Kalaj, një personalitet i shquar në shkencën e matematikës, u zgjodh anëtar i jashtëm i ASHSH-së. Ai është autor dhe bashkautor i 125 artikujve shkencorë, prej të cilëve 120 janë botuar në revista të indeksuara, si: Mathematische Annalen, Advances in Mathematics dhe Transactions of the AMS. Sipas Google Scholar-it, puna e tij është cituar rreth 1800 herë. Ai ka bashkëpunuar me matematikanë të njohur ndërkombëtarë dhe ka marrë pjesë në mbi 40 konferenca shkencore. Prof. Kalaj ka përkthyer mbi 10 tekste shkollore nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe. Asambleja vlerësoi punën dhe rezultatet në kërkimin shkencor të tre akademikëve të asociuar, Besnik Baraj, Gëzim Hoxha, Stefan Çapaliku, që pas votimit morën titullin akademik”, thuhet në njoftimin e ASHSH-së.
Në vijim të njoftimit thuhet se Asambleja, përmes një votimi ceremonial, zgjodhi Prof. Melisa Perry si anëtare nderi të Akademisë së Shkencave.
“Në motivacionin e lexuar nga akad. Gjinushi u nënvizua profili i saj si një nga figurat më të shquara në shkencën e shëndetit publik në nivel global, me kontribute të rëndësishme në epidemiologji, toksikologji mjedisore dhe ndikimet e ndotjes në shëndetin publik. Me angazhime të vazhdueshme në shkencën shqiptare, ajo ka qenë nismëtare e konferencës së parë mbi infodeminë dhe organizatore kryesore e Konferencës Ndërkombëtare për Shëndetin Publik dhe Mjedisin, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave”, thuhet në këtë njoftim.
Në të njëjtën kohë, kjo Asamble zgjodhi Prof. Dr. Hamit Kabën si anëtar të ri të saj nga fusha e historisë.
Mbledhja e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është drejtuar nga kryetari, akad. Skënder Gjinushi, me praninë e kryesisë dhe të anëtarëve të tjerë të kësaj Asambleje.
Në një prononcim për gazetën “Koha javore”, në lidhje me pranimin e tij anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe se çfarë përfaqëson ky vlerësim për të në aspektin personal dhe profesional, Prof. dr. David Kalaj shprehet se ky vlerësim për të është një nder i veçantë dhe një përgjegjësi e madhe.
“Pranimi si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përfaqëson jo vetëm një njohje për kontributin tim në fushën e matematikës, por edhe një lidhje të thelluar me hapësirën shqiptare të dijes dhe kulturës. E shoh si një mundësi për të qenë më pranë zhvillimeve akademike në Shqipëri dhe për të kontribuar aty ku kam mundësi”, shprehet Kalaj.
I pyetur se cilat momente apo etapa i konsideron si më vendimtare për formimin dhe arritjet e tij në këtë rrugëtim të gjatë në fushën e shkencës, ai veçon ato kur ka pasur mundësinë të përfshihet në kërkime dhe bashkëpunime që kanë zgjeruar horizontet e tij profesionale.
“Formimi në fushën e matematikës më ka dhënë një strukturë të fortë mendimi dhe ka ndikuar thellë në mënyrën se si qasem ndaj problemeve shkencore. Por po aq vendimtare kanë qenë edhe përkushtimi, puna e palodhur dhe mbështetja morale nga familja dhe kolegët ndër vite”, thekson Kalaj.
Prof. dr. David Kalaj, përmes këtij prononcimi, jep një mesazh për të rinjtë nga Malësia që kanë prirje për shkencë, por që shpesh përballen me mungesë motivimi apo mbështetjeje.
“U them me zemër: besoni në veten tuaj dhe mos u ndalni. Vështirësitë janë të përkohshme, por dijet dhe aftësitë që fitoni janë përjetë. Edhe kur mungon mbështetja, ka burime dhe mundësi që vijnë me këmbëngulje dhe punë të ndershme. Mos kini frikë nga shkenca – ajo është një udhë e gjatë, por e bukur dhe plot kuptim”, u shpreh Kalaj.
Mbi të gjitha, tha ai, mos harroni se çdo rrugë e madhe fillon me një hap të vogël dhe një vendim për të mos u dorëzuar.
t. u.
