Një festë kulture në zemër të Ulqinit turistik

Që nga viti 1988 e deri më sot, kjo ngjarje artistike është bërë pjesë e pandashme e sezonit veror, një urë e gjallë ndërmjet traditës, artit dhe bashkëjetesës kulturore. Këtë vit, edicioni i radhës nis më 17 korrik 2025, duke sjellë një kalendar të pasur aktivitetesh, i cili do të zhvillohet në ambientin unik dhe historik të Muzeut Vendor në Qytetin e Vjetër – Kala

Në mbrëmjet e ngrohta të verës, kur bregdeti i Ulqinit shndërrohet në një mikpritës të palodhur për mijëra vizitorë nga mbarë rajoni dhe më gjerë, një ngjarje kulturore e ka ndërtuar identitetin e vet të fortë ndër vite – Festivali “Skena Verore”. Që nga viti 1988 e deri më sot, kjo ngjarje artistike është bërë pjesë e pandashme e sezonit veror, një urë e gjallë ndërmjet traditës, artit dhe bashkëjetesës kulturore. Këtë vit, edicioni i radhës nis më 17 korrik 2025, duke sjellë një kalendar të pasur aktivitetesh, i cili do të zhvillohet në ambientin unik dhe historik të Muzeut Vendor në Qytetin e Vjetër – Kala.
Ky organizim është realizim i Qendrës për Kulturë – Ulqin, në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Ulqinit, Organizatën Turistike të Ulqinit, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Medias, duke dëshmuar edhe një herë se përkushtimi institucional për kulturën në këtë qytet bregdetar është një prioritet i vërtetë.

“Kultura është cilësi, dhe cilësia është e domosdoshme”
Drejtoresha e Qendrës për Kulturë të Ulqinit, Adriana Hoxha, theksoi gjatë paraqitjes së programit rëndësinë që Skena Verore ka pasur ndër vite për qytetin dhe për të gjithë komunitetin artistik që është zhvilluar përmes saj.
“Për ne, Skena Verore është shumë më shumë se një seri aktivitetesh – është një histori e gjallë që për më shumë se tri dekada ka ushqyer shpirtin e këtij qyteti me art dhe muzikë. Këtë vit, kemi vendosur fokus të veçantë në kualitetin artistik, sepse besojmë se një ngjarje kulturore e tillë duhet të jetë frymëzuese, gjithëpërfshirëse dhe e paharrueshme, për vendasit dhe turistët njësoj”, ka thënë ajo.
Skena Verore 2025 nis më 17 korrik, me një hapje madhështore – “Folk on Tour”, një bashkëpunim i veçantë i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, që sjell në Ulqin tingujt e pasur të folklorit shqiptar në një interpretim artistik të nivelit më të lartë. Një nisje emocionuese për të gjithë ata që vlerësojnë rrënjët tona kulturore.
Më tej, programi vazhdon me një mozaik të vërtetë artistik:
23 korrik – “Veçe sevdaha”, me grupin e njohur Divanhana, do të sjellë emocionet e muzikës së Sevdahut, të ndërthurura me hapjen e ekspozitës “II Ljetni likovni salon”, e organizuar nga Shoqata e Artistëve Figurativë të Malit të Zi.
27 korrik – Koncerti i Shpat Dedës do të sjellë një atmosferë të ngrohtë akustike, me tinguj të dashurisë dhe reflektimit.
31 korrik – Humor i zgjuar dhe bashkëkohor nga Semir Giciq, me një natë të dedikuar stand-up komedisë.
6 gusht – Muzika klasike dhe bashkëkohore vjen nëpërmjet “The Echo”, nga Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, që premton një performancë emocionuese nga të rinj të talentuar.
8 gusht – Këngëtarja Edona Reshitaj do të ndezë skenën me një koncert që përçon freskinë dhe energjinë e verës.
13 gusht – Një tjetër mbrëmje humoristike me Vëllezërit Shukoviq, për të shtuar të qeshura në mbrëmjet ulqinake.
18 gusht – Komedia “Klani i të Divorcuarve”, me aktorë të njohur si Gentian Zenelaj, Rudina Dembacaj dhe Andi Xhunga, premton të sjellë një spektakël plot ironi, humor dhe aktualitet.
20 gusht – Mbrëmje magjike me koncertin “Nocturne”, ku do të performojnë artistët e njohur: Olivera Tiçeviq (soprano), Merita Subashiq – Shabanoviq (piano), Emina Bubiq (flautë) dhe Ardit Lika (violinë).
23 gusht – Të qeshurat rikthehen me Akil Varfin dhe Bashkim Alajn në një tjetër natë të stand-up komedisë.
28 gusht – Skena Verore 2025 mbyllet në mënyrë madhështore me koncertin “3 Musketierët” – Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe Redon Makashi. Një trio që sjell nostalgji, pasion dhe hitet më të dashura të muzikës shqiptare ndër vite.

Ulqini – një arenë kulturore nën yjet e verës
Përtej bukurive natyrore, plazheve të mrekullueshme dhe gjallërisë së sezonit turistik, Ulqini gjithnjë e më shumë po e forcon veten si një qendër kulturore në zemër të Adriatikut. Me aktivitete si Skena Verore, qyteti nuk ofron vetëm relaks dhe argëtim, por edhe ushqim për shpirtin dhe mendjen. Kultura bëhet pjesë e pandashme e përvojës së vizitorëve, ndërsa vendësit ndihen krenarë për pasurinë artistike që u ofrohet.
Në këtë edicion të veçantë, Skena Verore jo vetëm që përkujton rrugëtimin e saj prej më shumë se tri dekadash, por edhe rikthen vëmendjen te forca e artit për të ndërtuar ura, për të bashkuar njerëz dhe për të krijuar kujtime të paharrueshme. Në Ulqin, ku historia takon detin dhe arti takon natyrën, vera 2025 do të mbetet e paharruar për çdo pjesëmarrës.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat