Një mandat i ri dhe një vizion i qartë për të ardhmen e Malit të Zi

Dritan Abazoviq do të vijojë të drejtojë Lëvizjen Qytetare URA për një mandat të ri katërvjeçar, vendosën njëzëri delegatët e Kongresit IV të kësaj partie, i mbajtur më 4 korrik 2025 në amfiteatrin e kompleksit të teleferikut Kotorr – Llovqen, ku morën pjesë figura të shquara nga jeta politike e Malit të Zi, rajoni dhe Evropa.
Në këtë ngjarje të rëndësishme u shënua edhe dhjetëvjetori i themelimit të URA-s.
Abazoviq shfrytëzoi këtë mundësi për të bërë një bilanc të periudhës së kaluar të punës së partisë, duke falënderuar kryetarin e parë të URA-s, Zharko Rakçeviq dhe drejtuesit e tjerë të kaluar.
Ai theksoi se, që nga krijimi i saj, URA ka ndjekur gjithmonë parimin e mbrojtjes së shtetit dhe interesave kombëtare, duke e promovuar Malin e Zi si një shtet multietnik, multikulturor dhe demokratik.
“Ne fituam lirinë në vitin 2020, por ende nuk e përmbyllëm procesin e konsolidimit të plotë të demokracisë. Ishte e rëndësishme të tregohej se rrota demokratike mund të nisë dhe të ecë në këtë vend. URA do të fitojë përsëri dhe do të vijë në pushtet për të përfunduar atë që kemi nisur në vitin 2023”, theksoi Abazoviq.
Kryetari i LQ URA paraqiti gjithashtu kursin e ri politik të kësaj partie përmes programit “Mali i Zi 365”, një plan ambicioz për të zhvilluar vendin në disa drejtime të rëndësishme: për një Mal të Zi të sigurt dhe të drejtë, një Mali të Zi ekologjik, një shoqëri me të drejta sociale, një destinacion turistik 365 ditë në vit dhe një ekonomi që nxit pasurinë e individëve.
“Do të luftojmë për kthimin e pasurive të tokës që u janë hequr njerëzve gjatë regjimeve të kaluara, për pavarësinë e sektorit energjetik dhe për rezultate konkrete në çdo fushë. Po ashtu, do të angazhohemi për reforma në shëndetësi dhe arsim, do të punojmë që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian dhe që pasaporta jonë të jetë e barabartë me atë të qytetarëve të BE-së. Kjo është një nga shumë objektivat tona”, theksoi udhëheqësi i URA-s.
Ai gjithashtu nënvizoi se partia e tij është e hapur për bashkëpunim me çdo individ apo forcë politike që ka një vizion të ngjashëm për të ardhmen e Malit të Zi.
Abazoviq shfrytëzoi këtë mundësi për të filluar një debat publik mbi planet e ardhshme të partisë, duke besuar se ky angazhim është një përgatitje e mirë për zgjedhjet parlamentare të ardhshme.
Ai gjithashtu shprehu mendimin se qeveria aktuale e Malit të Zi nuk ka arritur të sjellë mjaftueshëm rezultate dhe që qytetarët do ta ndërrojnë atë në zgjedhjet e ardhshme.
“Unë jam i sigurt se qeveria e re që do të formohet, do të jetë në përputhje me vizionin e URA-s, dhe partia jonë do të jetë një nga faktorët kryesorë në të”, përfundoi Abazoviq.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat