Akt i njëanshëm skandaloz

Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, e ka cilësuar skandaloz vendimin e ministres për Punë Publike, Majda Axhoviq, për anulimin e tenderit për ndërtimin e sallës së sporteve në Tuz.
Në reagimin e tij, ai e ka cilësuar këtë akt jo vetëm si një sulm ndaj një objekti infrastrukturor, por edhe sulm ndaj qytetarëve të komunës së Tuzit, të cilët meritojnë kushte të njëjta për zhvillimin e sportit dhe jetës shoqërore si të gjithë qytetarët e Malit të Zi.
“Majda Axhoviq zbaton sulm të hapur ndaj Komunës së Tuzit, duke u përpjekur të disiplinojë pushtetin lokal të vetëm autokton shqiptar në Malin e Zi – dhe këtë e bën në shërbim të interesave të regjimit të kaluar dhe qendrave të pushtetit, të cilët asnjëherë nuk e kanë pranuar emancipimin politik të shqiptarëve, bile për një kohë të gjatë kanë luftuar që të vazhdojmë të jetojmë në kushtet që kanë ekzistuar derisa pushtetin në Tuz e ka marrë Forumi Shqiptar”, ka thënë Gjelaj.
Duke e akuzuar ministren Axhoviq si të afërt me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe dorë e zgjatur e pushtetit të kaluar, i cili e ka premtuar këtë projekt, por nuk ka bërë asgjë për realizimin e tij, ai ka thënë se pushteti vendor aktual në Tuz ka bërë çdo gjë që ky projekt, me vlerë rreth 10 milionë euro, të realizohet.
“Salla e sporteve për vite të tëra ka shërbyer si premtim bosh dhe mjet për kusure politike. Për dallim prej tyre, administrata jonë lokale ka përgatitur çdo gjë, ka ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin. E vetmja gjë që ka mbetur ka qenë përzgjedhja e kryesit të punimeve dhe fillimi i realizimit të tij, për kënaqësi të sportistëve, të rinjve dhe të gjithë qytetarëve të komunës së Tuzit”, thuhet në reagim.
Kryetari i Komunës së Tuzit ka kërkuar nga kryeministri Millojko Spajiq që të deklarohet qartë nëse i mbështet këto veprime të njëanshme dhe këtë politikë, si dhe nëse Qeveria e Malit të Zi ka qëllim të shkatërrojë apo të ndihmojë realizimin e projekteve infrastrutore kapitale në komunën e Tuzit?
Në fund të reagimit të tij, Gjelaj i ka porositur qytetarët e komunës së Tuzit se pushteti lokal në këtë komunë do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi dhe përkushtim, si dhe që projektet e parashikuara do të realizohen, me apo pa mbështetjen e atyre që nuk ia kanë dashur kurrë të mirën këtij vendi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat