Ulqin – Në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, të mërkurën e kaluar (25 qershor 2025) u zhvillua shqyrtimi qendror publik me rastin e Propozim Vendimit për shpalljen e kategorisë, kufijve, statusit dhe regjimit të mbrojtjes së Monumentit të Natyrës – Plazhi i Madh, si dhe prezantimi i Projekt Studimit për rishikimin e kufijve dhe statusit të këtij monumenti të rëndësishëm natyror. Ky proces përbën një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së përhershme të një prej pasurive më të çmuara ekologjike të Malit të Zi.
Takimi u organizua nga Sekretariati për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji i Komunës së Ulqinit, nën drejtimin e sekretares Arta Muçaj, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Sead Haxhibllahoviq dhe Dr. Gordana Kasum, të cilët prezantuan përmbajtjen dhe qëllimet e studimit dhe Propozim Vendimit për mbrojtjen e kësaj zone.
Në fjalën e tyre, përfaqësuesit institucionalë theksuan se ky është studimi i parë i këtij lloji që nga viti 1968, kur për herë të parë Plazhi i Madh u njoh dhe u mbrojt si një hapësirë natyrore me rëndësi të veçantë. Gjatë këtyre dekadave, Plazhi i Madh ka qenë subjekt i ndryshimeve të shumta mjedisore dhe urbane, çka e bën të domosdoshëm rishikimin e statusit të tij dhe përshtatjen me standardet bashkëkohore të mbrojtjes së natyrës.
Shqyrtimi publik u hap me fjalën përshëndetëse nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili vlerësoi përkushtimin institucional dhe qytetar për të siguruar një proces të hapur, gjithëpërfshirës dhe transparent në vendimmarrje.
Ai nënvizoi rëndësinë që ka Plazhi i Madh, jo vetëm si një destinacion turistik, por edhe si një ekosistem delikat që kërkon mbrojtje dhe menaxhim të qëndrueshëm.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe lokale, ndërmarrjeve publike, organizatave të shoqërisë civile, ekspertë të fushës, si dhe qytetarë të Ulqinit. Diskutimi i hapur solli komente dhe sugjerime të vlefshme, të cilat synohen të përfshihen në fazën përfundimtare të vendimmarrjes.
Plazhi i Madh, i njohur për gjatësinë dhe rërën e tij karakteristike, përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit bregdetar në Mal të Zi. Përveç vlerave natyrore, kjo zonë ka rëndësi të madhe ekonomike dhe kulturore për komunitetin lokal dhe për të gjithë vendin. Rritja e presioneve mjedisore, përfshirë urbanizimin, turizmin intensiv dhe ndryshimet klimatike, e bëjnë të domosdoshëm vendosjen e një regjimi të qartë dhe të qëndrueshëm të mbrojtjes.
Ky shqyrtim publik përbën një hap kyç në drejtim të finalizimit të procesit ligjor për shpalljen e Plazhit të Madh si Monument i Natyrës me mbrojtje të përhershme. Duke e vënë theksin te pjesëmarrja e gjerë dhe ndërveprimi i institucioneve me qytetarët, Komuna e Ulqinit tregon angazhim të palëkundur për të ndërtuar një model të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm ndaj natyrës.
Procesi i shqyrtimit pritet të vazhdojë me përfshirjen e komenteve të marra gjatë këtij takimi, pas së cilës do të finalizohet vendimi përfundimtar për statusin dhe regjimin e mbrojtjes së Plazhit të Madh.
D. Teliqi
