
Në krijimtarinë artistike krijuesit orientohen lirshëm sipas prirjeve dhe preokupimeve nga bota e përditshme deri tek imagjinata kozmopolite për ta ndërtuar stilin e vet. Në këtë rast e kemi ekspozitën e radhës së artistes së gjithanshme në artin pamor (vizuel) – Kaltrina Hotit nga treva e Plavës dhe Gucisë, pjesëmarrëse në disa ekspozita kolektive, grupore dhe personale. Në këtë ekspozitë na sjell një numër të veprave të realizuara në frymën e artit bashkëkohor – në pikturë, vizatim dhe instalacion. Tanimë artistja ka bërë emër si piktore dhe poete, ku autorja përpiqet ta bëjë një lidhshmëri të shprehjes figurative me vargun.
Opusin e saj krijues në artet pamore e ndajmë në dy cikle: së pari në figuracionin narrativ metaforik dhe në abstraksionin e thellë piktural dhe gjeometrik. Thurjes së veprës i qaset me kujdes, me poteza të lirë, me ngjyra kontrasti dhe harmonike e arrin pajtimin e tyre me kualitetin e vijave të ndryshme në lëvizje për të nxjerrë forma ovale dhe këndore me thyrje logjike gjeometrike, duke i paraqitur herë në profil e herë në anfas për ta begatuar brendinë ose thelbin e tematikës.
Piktorja vazhdimisht bën kërkime për ta arritur në piktura dhe vizatime konceptin domethënës modern me shprehje epike-lirike në një kohë të vështirë, ku teknika e inteligjencës artificiale është në rritje dhe nuk dimë se çka do të na sjellë nesër. Me këto vepra abstrakte dhe gjysmabstrakte komunikon me publikun profesional dhe artdashës. Në poteza dhe vizatime shohim poteza të sigurt ekspresivë, të kombinuar lehtësisht me ato impresivë. Duke i parë dallimet e kuptueshme të shprehjes artistike, vij në përfundim se ajo e zotëron mënyrën e të shprehurit në teknologjinë e artit pamor. Veprat i realizon me mjeshtëri në teknika të ndryshme: në akuarel, temperë, pastel, akril, vaj, me shtresimin e ngjyrave (teknika pastuoze) dhe lazure dhe sipas nevojës kreative e fut edhe materialin jopiktural për të arritur një qasje tjetër deri tek arti konceptual. Me tematikën e zgjedhur shprehet duke e vënë në funksion imagjinatën inventive, ku i prek disa elemente psiko-sociologjike.
Duke i analizuar veprat e saj figurative, shohim se e zotëron mirë gjuhën e artit pamor si kusht elementar në krijimtari. Te figurat dhe objektet shohim thjeshtësinë e pranueshme të formësimit linear që lidhet lehtësisht me sfondin enigmatik. Disa detaje qëndrojnë në harmoni në hapësirën e parcializuar këndore, me qëllim për t’i dhënë kompozicionit stabilitet dhe qëndrueshmëri. Në shumicën e punimeve vërejmë disa elemente karakteristike nga etnografia dhe historia e pasur e kombit tonë, mund të shtoj edhe të kësaj ane.
Kaltrina Hoti është një shembull i rrallë, ku pas shumë viteve në mërgim me mall dhe dashuri kthehet në vendlindje, jo vetëm për të qenë fizikisht këtu, por për ta ringjallur vendlindjen me aktivitete kulturore. Artistja nga Hoti i Plavës shtrihet më gjerë, duke marrë për mision zgjidhjen e barazisë kombëtare dhe për të vënë ura komunikimi dhe bashkëpunimi përmes artit për t’i thyer disa tabu ose relikte të vjetra të regjimeve, me synim për ta krijuar një publik të ri të reformuar, për t’i nxitur në aktivitete dhe për t’i afirmuar artistët e së ardhmes.
Ajo e hapi Galerinë e parë private në Plavë dhe Hot. Përveç disa ekspozitave të mbajtura, ia vlen të përmendim pritjen dhe hapjen e ekspozitës së karvanit artistik të shoqatës “Artistët për artistët”, të udhëhequr nga artisti Veton Gusia. Kaltrina Hoti për tri ditë qëndrimi u kujdes dhe i akomodoi artistët nga viset e ndryshme shqiptare në Guci dhe Hot. Ia vlen të përmendim hapjen e ekspozitës në ambient të hapur në Hot. Për të mos krijuar përshtypje të njëanshme, Galeria e saj ishte dhe mbetet e hapur edhe për artistë boshnjakë, malazezë, pse jo edhe artistë të tjerë nga vende të ndryshme.
(Recensioni është shkruar për katalogun me rastin e hapjes së ekspozitës personale “Gjurmë e përjetshme” të piktores Kaltrina Hoti në Galerinë “Magaza” – Rozhajë, më 17 maj 2025, në kuadër të manifestimit tradicional kulturor “Ora e Maleve”)
