Kriporja e Ulqinit i kthehet përmenaxhim“Eurofondit”

Gjykata Administrative ka vendosur që vendimi për regjistrimin e pronës së Kripores “Bajo Sekuliq” në Ulqin si pronësi shtetërore është bërë në kundërshtim me ligjin.
Vendimi për regjistrimin e Kripores së Ulqinit në pronësi shtetërore ishte marrë nga Ministria e Financave, përkatësisht Drejtoria e Kadastrit në Ulqin, në qershor të vitit 2022, në bazë të vendimit të Këshillit qeveritar për Privatizim, në krye të të cilit në atë kohë ishte kryeministri Dritan Abazoviq, i cili e kishte marrë këtë vendim me arsyetimin se “Eurofond”-i nuk i kishte paguar aksionet e Kripores me vlerën e tregut.
Ndaj këtij vendimi ishte ankuar administrata e falimentimit e Kripores “Bajo Sekuliq”.
Pas këtij vendimi të Gjykatës Administrative, prona e Kripores do t’i kthehet “Eurofondit”, i cili është pronari kryesor i kësaj ndërmarrjeje në falimentim. Më saktësisht, administrata e falimentimit do të jetë në gjendje të vazhdojë shitjen e pasurive, gjë që e ka bërë prej vitesh para vendimit të Ministrisë së Financave.
Vendimi më i ri për Kriporen e Ulqinit ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi në Ulqin. Që prej kohësh, ish-punëtorët e Kripores së Ulqinit protestojnë për shkak të pagave të mbetura borxh
Kriporja e Ulqinit në kohën e lulëzimit të saj ka qenë simbol i Ulqinit dhe fabrika më e madhe për prodhimin e kripës nga uji i detit në ish-Jugosllavi. Por pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar filloi shkatërrimi i kësaj ndërmarrjeje.
Në vitin 2003 Kriporja e Ulqinit u privatizua, si pasojë e falimentimit të ndërmarrjes, por kjo pasuri është shitur me një çmim tejet të ulët, për vetëm 800 mijë euro. Çmimi i tokës u vendos 5 cent për metër katror dhe iu shit Fondit të Hapur Investues “Eurofond” të Veselin Baroviqit, duke u cilësuar këtë privatizim si aferë korruptive e politikës së Partisë Demokratike Socialiste të Millo Gjukanoviqit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat