T’u ju njit Bunës përpjetë!

Artistët e penelit sollën për publikun shkodran një koleksion të veçantë veprash që përçojnë identitetin dhe ndjeshmërinë e qytetit bregdetar të Ulqinit. Ekspozita me punimet e artistëve Mehmet Aloja, Agron Ujkashi, Jozo Koçaj, Emina Nimanbegu, Ivana Gjonaj dhe Brigita Antoni do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Arteve të Shkodrës deri më 13 qershor 2025

Në ambientet e Galerisë së Arteve të Shkodrës të martën (3 qershor 2025) është çelur ekspozita me titullin “T’u ju njit Bunës përpjetë”, që bashkon në një rrugëtim të përbashkët artistik gjashtë piktorë nga qyteti i Ulqinit. Kjo ekspozitë është një nismë e përbashkët e Galerisë së Arteve të Shkodrës, Bashkisë Shkodër dhe platformës “Creative City Ulqin”, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Në hapjen e saj, artistët e penelit sollën për publikun shkodran një koleksion të veçantë veprash që përçojnë identitetin dhe ndjeshmërinë e qytetit bregdetar të Ulqinit.
“Të hapësh këtë ekspozitë në Shkodër duhet të jesh i përgatitur mirë, pasi Shkodra ka dhënë për të gjithë Shqipërinë piktorë të njohur dhe këtu është konkurrenca e fortë”, u shpreh piktori Mehmet Aloja.
“Janë vizatime spontane, të personave me karakter të ndryshëm, që për atë kohë ka qenë një inspirim i rastit”, u shpreh piktori Jozo Koçaj.
Drejtori i Galerisë së Arteve, Fatmir Juka, u shpreh se kjo ekspozitë i shërben forcimit të lidhjeve kulturore dhe promovimit të vlerave të përbashkëta artistike.
“Gjatë përpjekjes për të gjetur një titull u zgjodh Buna si element gjeografik që në rrjedhën e saj është e lundrueshme nga të dyja anët. Meqë artistët në Ulqin kanë ardhur në Shkodër, kështu po i ngjiten Bunës përpjetë”, u shpreh Juka.
Ekspozita me punimet e artistëve Mehmet Aloja, Agron Ujkashi, Jozo Koçaj, Emina Nimanbegu, Ivana Gjonaj dhe Brigita Antoni do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Arteve të Shkodrës deri më 13 qershor 2025.

Marjo Gjini

Të fundit

më të lexuarat