Një verë meaktivitete tëpasura kulturore

Pavarësisht përpjekjeve të vetëqeverisjes vendore, jeta kulturore në Malësi vazhdon të përballet me mangësi strukturore. Mungesa e një teatri, e një biblioteke të mirëfilltë qyteti apo e një kinemaje moderne mbetet pengesë reale për zhvillimin e një jete kulturore të qëndrueshme dhe të larmishme

Tuz – Edicioni i sivjetshëm i manifestimit kulturor “Vera në Malësi 2025” u hap më 1 qershor, me shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, i cili u mbajt në sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Tuz, ku morën pjesë dhjetëra fëmijë, familjarë e qytetarë.
Nga vetëqeverisja lokale kanë prezantuar të gjitha aktivitetet që do të pasojnë gjatë muajve në vijim – nga 1 qershori deri më 30 shtator, kur manifestimi do të përmbyllet me ngjarjen “Java Evropiane e Sportit”.
Organizimi i veprimtarive të tilla që nxisin jetën kulturore e shoqërore në vend, sidomos në Malësi e cila në të kaluarën ka vuajtur mungesën e aktiviteteve kulturore, është gjithmonë i mirëseardhur pasi që ato kontribuojnë jo vetëm në argëtimin e qytetarëve, por edhe në promovimin dhe ruajtjen e vlerave artistike dhe të trashëgimisë kulturore në vend.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të vetëqeverisjes vendore, jeta kulturore në Malësi vazhdon të përballet me mangësi strukturore. Mungesa e një teatri, e një biblioteke të mirëfilltë qyteti apo e një kinemaje moderne mbetet pengesë reale për zhvillimin e një jete kulturore të qëndrueshme dhe të larmishme.
Këto institucione do të sillnin një ndryshim thelbësor, duke i dhënë qytetit dhe banorëve të tij hapësirat që meritojnë për edukim, krijimtari dhe komunikim artistik. Mungesa e këtyre institucioneve nuk lidhet vetëm me mungesën e hapësirave, por me mungesën e një strukture të qëndrueshme që do të mundësonte zhvillimin e një jete kulturore urbane dhe të organizuar.
Pa këto struktura, jeta kulturore mbetet e varur nga aktivitete sezonale ose nga përkushtimi i individëve entuziastë e jo nga një sistem institucional i qëndrueshëm.
Përkundër sfidave, iniciativat si “Vera në Malësi” dëshmojnë për vullnetin dhe potencialin që ekziston në këtë trevë për të krijuar një jetë publike më të gjallë, të ndjeshme ndaj nevojave kulturore të komunitetit.
Ato janë një kujtesë se kultura nuk është vetëm një pasuri trashëguese, por edhe një nevojë e përditshme që meriton vëmendje institucionale dhe investim afatgjatë.
Prandaj, përtej atmosferës festive, mbetet e rëndësishme që këto aktivitete të shërbejnë si nxitje për ndërtimin e infrastrukturës së munguar dhe për një strategji kulturore më të qartë për Malësinë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat