Apel për t’iu kthyer librit që formon

Shkrimtari nga Tuzi, Mark Lucgjonaj, ishte i ftuar në programin letrar të panairit, por për arsye personale nuk mundi të marrë pjesë. Megjithatë, organizatorët e cilësuan si një autor që meriton vëmendje dhe promovim, jo vetëm në Shkodër por edhe më gjerë

Në qytetin e Shkodrës, të enjten mbrëma (5 qershor 2025), u hap për herë të parë Panairi i Librit me moton: “Libri të ban të lirë”, organizuar nga Katedralja e Shkodrës, i cili mblodhi rreth 20 shtëpi botuese nga Shqipëria dhe Kosova.
Në ceremoninë e hapjes zyrtare të këtij panairi, në oborrin e katedrales në fjalë, ku u vendosën stendat e botuesve, në fjalën përshëndetëse përpara një numri të konsiderueshëm adhuruesish të fjalës së shkruar, argjipeshkvi i Shkodrës, Monsinjor Giovanni Peragine, tha se Shkodra u shndërrua në një vendtakim miqësor dhe në një bibliotekë të hapur, falë organizimit të këtij panairi.
Ai theksoi se kjo katedrale sot po hap krahët jo vetëm për t’u lutur, por edhe për të menduar, për të lexuar dhe për të rritur diturinë.
“Sepse, çdo libër që i flet zemrës dhe mendjes, është burim drite që orienton hapat tanë drejt së vërtetës. Është farë që mbillet për të dhënë fryt kulture, dije dhe lirie”, u shpreh mons. Peragine.
Duke iu referuar një thënieje të mëparshme të Papa Françeskut, i cili ka thënë se njerëzimi jeton në një epokë jo thjesht të shënuar nga ndryshimet, por në një epokë krejt ndryshe, Peragine tha se fjala, që duhet të ketë peshën e vet të pakrahasueshme, shpesh trajtohet si një objekt konsumi.
“Në duart e njerëzve shikon më shumë smartfonë që informojnë, por nuk formojnë, ashtu siç formon libri. Si bari i kësaj dioqeze, ju inkurajoj që te libri të mos kërkoni vetëm dijen dhe kuriozitetin, por, siç thotë edhe Shën Pali, të vërtetën që na bën të lirë. Ju ftoj të lexoni e të kërkoni në mes rreshtave, me zemër të hapur, shenjat e pranisë së Zotit që zbulohen edhe përmes çdo rrëfimi letrar”, theksoi ndër të tjera Peragine.
Drejtori ekzekutiv i këtij panairi – dramaturgu, profesori, poeti dhe eseisti Stefan Çapaliku, shpalosi thelbin e, siç e quajti ai, aksionit kulturor të këtij panairi të librit.
Ai tha se bota, duke rendur çdo ditë e më shumë pas teknologjisë digjitale, është futur në një krizë të madhe, dhe se epoka digjitale, për shkak të një fluksi të jashtëzakonshëm të lajmeve të rreme, po e humb përditë besimin dhe mundësinë për të komunikuar realisht me njerëzit.
“Kontakti me njerëzit do të vijë dhe do të zhvlerësohet, pra do të ketë një inflacion aq të madh saqë njerëzit do t’i kthehen edhe një herë kulturës së shkruar, kulturës së shtypur. Dhe ne duhet të përpiqemi ta mbajmë fort librin, të mbajmë fort këtë fill, i cili do të rindezë motorin e besimit tek dija”, u shpreh Çapaliku.
Në këtë aspekt, ai tha se çdo aksion që i fton njerëzit për të lexuar, që u ofron libra dhe jo diçka tjetër, duhet përshëndetur – edhe kur vjen nga çdo skaj i parëndësishëm i kësaj bote.
Drejtoresha e njërës ndër shtëpitë më të rëndësishme botuese në Shqipëri, “Toena”, Irena Toçi, njëherësh drejtoreshë e Institutit të Librit dhe Promocionit, u shpreh se ata si botues nuk e kanë humbur shpresën, sepse – siç tha – ka ende lexues që i ndjekin, edhe në Shkodër, ashtu siç ka ndodhur që nga kohët më të vjetra e deri më sot.
“Tradita e këtij qyteti e do që ta përqafojë librin dhe leximin. Shpresojmë shumë që brezi i ri, teknologjinë që u përmend pak më parë, ta shfrytëzojë vetëm për gjënë e mirë dhe për të konkurruar inteligjencën artificiale – dhe libri i shërben më së miri këtij synimi dhe sfide që ne kemi vendosur me veten”, u shpreh Toçi.
Ajo shprehu bindjen se kjo sfidë ndaj së shkuarës dhe së tashmes mund të fitohet, duke e bërë librin një shtyllë të qëndrueshme të shoqërisë sonë dhe leximin një praktikë të përditshme kulturore – “por leximin, atë cilësor, të certifikuar dhe miratuar nga botuesit”.
Në këtë panel të hapjes zyrtare të panairit të librit, në emër të shkrimtarëve pjesëmarrës përshëndeti edhe Xhahid Bushati, shkrimtar dhe kritik letrar.
Në natën e parë të këtij panairi u bë promovimi i romanit “Saga e Sarajevës” i Stefan Çapalikut, ndërsa më pas panairi vijoi me muzikë dhe lexime letrare nga autorët e pranishëm (Andreas Dushi, Arben Prendi, Arjola Zadrima, Durim Taçi, Ledia Dushi etj.).
I ftuar në panairin e sivjetshëm të librit ka qenë edhe shkrimtari shqiptar nga Mali i Zi, Mark Lucgjonaj, mirëpo për arsye personale, nuk ka mundur të jetë pjesë e këtij panairi.
Në një prononcim për gazetën “Koha javore”, shkrimtari i njohur Stefan Çapaliku theksoi se ftesa për Mark Lucgjonajn ishte një vlerësim i merituar, pasi ai, sipas tij, është një autor që duhet promovuar jo vetëm në Shkodër, por edhe në rang kombëtar.
“Ai e ka pritur ftesën tonë dhe ardhjen në Shkodër me shumë dëshirë , mirëpo për shkaqe krejtësisht të papritura nuk ka mundur të marrë pjesë”, u shpreh ai.
Shkrimtari Stefan Çapaliku tha se ne (Shkodra) dhe shqiptarët e Malit të Zi jemi e njëjta lagje, duke theksuar se bashkëpunimi duhet të jetë përherë e më i madh.
“Bashkëpunimi duhet të intensifikohet dhe këtë e kanë në dorë vetëm njerëzit dhe askush tjetër. Ne nuk mund të presim nga strukturat. Ne duhet të organizojmë vetë panaire dhe aktivitete letrare, sepse ne presim e presim dhe nuk ndodh asgjë, prandaj do ta bësh vetë”, u shpreh Çapaliku.
Ai theksoi se, sikur të prisnim strukturat që të viheshin në lëvizje – struktura që ndoshta nuk do të reagonin kurrë – do të vdisnim pa një panair libri, pa një festival letërsie dhe pa aktivitete të rëndësishme kulturore.
Gjatë tri ditëve të zhvillimit të panairit, nga 5 deri më 7 qershor 2025, u mbajtën promovime librash nga autorë të njohur, u zhvilluan diskutime me studiues e kritikë letrarë, dhe lexuesit patën mundësi të takohen përballë me krijuesit dhe botuesit, duke e shndërruar këtë ngjarje në një festë të vërtetë të librit dhe mendimit.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat