Marrëveshja u miratua me 41 vota të shumicës

Podgoricë – Kuvendi i Malit të Zi ka votuar sërish të martën e kaluar (3 qershor 2025) Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare midis Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, që parashikon zhvillimin e projekteve në fushën e turizmit dhe pasurive të paluajtshme. Ajo është miratuar me shumicën e thjeshtë prej 41 deputetësh, për dallim prej herës së kaluar kur për të kishin votuar 46 deputetë. Shtatë deputetë kanë votuar kundër, kurse katër deputetë kanë qenë të përmbajtur.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka përshëndetur miratimin e kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Malit të Zi.
“Emiratet e Bashkuara Arabe janë vërtet një vend i jashtëzakonshëm për këdo që e ka vizituar atë – një shembull se si vizioni, inovacioni dhe ambicia e shëndetshme me syrin drejt së ardhmes afatgjatë mund ta transformojnë një vend”, ka theksuar ai.
Sipas tij, ky është një shans për të ecur përpara.
“Sot, me ratifikimin përfundimtar të marrëveshjes në Parlamentin e Malit të Zi, ne kemi hapur derën për një epokë të re partneriteti dhe mundësish. Ky është një shans për të sjellë frymën e progresit dhe prosperitetit në Malin e Zi tonë të vogël, por të veçantë. Faleminderit të gjithë deputetëve që votuan për një të ardhme më të mirë”, ka thënë Spajiq.
Kjo marrëveshje ka ngjallur debat dhe kundërshtime në opinionin publik për shkak të ndikimit të mundshëm në burimet natyrore dhe trashëgiminë kulturore të vendit. Ajo është shoqëruar edhe me protesta, sidomos në Ulqin, ku sipas paralajmërimeve në Plazhin e Madh është planifikuar të investojë investitori arab Mohamed Alabar.
Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka rrëzuar propozimin për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq. Për shkarkimin e tij kanë votuar 20 deputetë, ndërsa kundër kanë qenë 41 deputetë. Nga gjithsej 81 deputetë, në votim kanë marrë pjesë 63, ndërsa dy vota janë shpallur të pavlefshme. Nisma për shkarkim ishte paraqitur nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe Socialdemokratët, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme në Kuvend.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat