Ulqin – Komuna e Ulqinit ka bërë të ditur se ka përmbyllur me sukses konkursin ndërkombëtar për përzgjedhjen e zgjidhjes ideore të monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Juria pesëanëtarëshe, e përbërë nga piktori Gazmend Leka nga Shqipëria, skulptorët Adem Rusinovci nga Kosova dhe Dejan Durakoviq nga Kroacia, historiani Muhamet Mala dhe arkitekti ulqinak Gazmir Pulti kanë shpallur fitues punimin e skulptorit nga Mitrovica, Sabri Behramaj, ndërsa kanë vlerësuar me vendin e dytë punimin e skulptorit Vasil Rakaj nga Shqipëria (me banim në SHBA) dhe me vendin e tretë punimin e artistit vendas Agron Ujkashi.
Në konkurs janë paraqitur 17 punime nga autorë të ndryshëm, që sipas organizatorit i kanë përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara në shpalljen e konkursit.
Maketet e punimeve të arritura në konkurs janë ekspozuar të premten mbrëma në ekspozitën e hapur në Galerinë e Qendrës së Kulturës, ku publiku ka pasur mundësi të votojë për veprën e preferuar.
Por rezultatet e konkursit kanë ngjallur reagime të ndryshme se nëse punimi fitues përfaqëson vërtet një monument dinjitoz për Ulqinin dhe e shfaq madhështinë e heroit tonë kombëtar.
Ideja për vendosjen e monumentit të heroit tonë kombëtar në Ulqin është e kahmotshme, por ajo është konkretizuar para disa vitesh me iniciativën e Shoqatës “Don Gjon Buzuku”. Megjithatë, përkundër faktit se Kuvendi i Komunës së Ulqinit e ka miratuar vendimin për vendosjen e monumentit të Skënderbeut, për shkaqe burokratike dhe shkaqe të tjera kjo çështje është zvarritur. Konkursi për përzgjedhjen e zgjidhjes ideore të monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu përbën një hap konkret drejt realizimit të kësaj ideje.
Në Ulqin ekziston edhe bulevardi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, prandaj ndërtimi i monumentit të Skënderbeut do të plotësonte mozaikun e infrastrukturës dhe objekteve publike në nderim të kryeheroit tonë kombëtar.
(Kohapress)
