Prezantim i traditës krajane

Po ku ka më bukur se të kujtohen, që sado pak të prezantohen traditat tona edhe këtu në emigrim dhe së paku të transferohen edhe te brezi i ardhshëm i komunitetit tonë krajan?

Hamid Alaj

Shoqata “Besi” dhe Shkolla “Fol Shqip” me nxënësit e saj, me rastin e përfundimit të semestrit shkollor pranveror, në Shkollën P.S. 88 Ridgewood – Queens, para audiencës shfaqën më 18 maj 2025 dramën “Dasma jonë”, bazuar në librin “Dasma krajane dhe ceremoniali i saj“ të autorit krajan Hamid Alaj.
Me këtë rast dua të falënderoj udhëheqjen e Shoqatës “Besi”, në krye me kryetarin Sejdin Xhaferaj dhe gjithë këshillin drejtues të saj që ma besuan punën dhe regjinë e kësaj drame, e cila pas një pune intensive së bashku me ndihmëregjisoret Medina Xhaferaj, Sabrina Xhaferaj, Medina Hoxha, Merime Asanaj, Servete Xhaferaj, të cilat me punën e tyre të shkëlqyer, emocionuese, prezantuese dhe të palodhur bënë të mundur realizimin dhe prezantimin e kësaj drame. Ato jo vetëm në ditën finale tē prezantimit të dramës, por edhe gjatë ditëve të provave për përgatitjen e saj treguan vullnet, pasion, përkushtim e seriozitet në punë dhe ishin një shembull se si duhet punuar e koordinuar mes vete, që u kurorëzua me punën finale të tyre – realizimin e kësaj drame. Po ku ka më bukur se të kujtohen, që sado pak të prezantohen traditat tona edhe këtu në emigrim dhe së paku të transferohen edhe te brezi i ardhshëm i komunitetit tonë krajan?
Skena ishte e një niveli të jashtëzakonshëm, e prezantuar me traditën tradicionale krajane me qilim e strugë, me sofër me stola rreth saj, me derë e me mure prezantuar nga “akshihania” krajane, ku skenografët bënë një punë jashtëzakonisht mbresëlënëse dhe emocionuese duke na kujtuar të kaluarën tonë familjare krajane. Para audiencës ishin të shkëlqyer të gjithë. Me mirëkuptim dua të them se gjithë neve na “mundën” prezantuesit e dramës – ata nxënës të mrekullueshën, ata vogëlushë e vogëlueshe të cilat u prezantuan me veshjet e tyre tradicionale krajane dhe jo vetëm, ato petale e gonxhe të brezit të ardhshëm komunitar besian e krajan në veçanti, kurse atij kombëtar gjithëshqiptar në përgjithësi.
Pjesëmarrja ishte e përmasave të mëdha – me mysafirë, prindër e të afërm të nxënësve. Pothuajse në çdo paraqitje skenike prezantuesit e roleve kryesore të dramës u shoqëruan me këngë e duartrokitje nga audienca, atmosferë vërtet mbresëlënëse dhe e shkëlqyer.
Atmosfera festive në përfundim të dramës u shoqërua me ushqime dhe pije freskuese, shtruar nga Shoqata “Besi”. Puna intensive dhe suksesi i kësaj drame do të prezantohet së shpejti në kanalin YouTube dhe jo vetëm.
Falënderoj gjithë stafin punues që ma dhanë mundësinë të jem pjesë e këtij aktiviteti. U ndjeva shumë i emocionuar dhe i privilegjuar që ma besuan këtë punë dhe qoftë për hajër në hapat e mëtejshëm, gjë që tani të hapet edhe një derë për të ruajtur traditat tona edhe këtu në diasporë. Ftoni këta pjesëmarrës të dramës që të prezantohen me këtë dramë edhe në takimet e festat tuaja dhe të keni një prezantim dinjitoz dhe besoj se nuk do të zhgënjeheni.
Urime dhe gjithnjë suksese gjithë juve që morët pjesë në realizimin e kësaj drame.
Urime dhe suksese në të ardhmen Shoqatës “Besi” dhe Shkollës “Fol Shqip”.

Të fundit

më të lexuarat