Zëri i fjalës shqipe atje ku shpesh përpiqen ta heshtin

“Është një akt simbolik i ruajtjes së identitetit tonë kombëtar në një prej zonave ku kjo ndjeshmëri ka një domethënie të veçantë. Rozhaja me rrënjë të thella historike, kulturore dhe shpirtërore, përballet sot me sfidën reale të asimilimit të heshtur. Në këtë kontekst, organizimi i ‘Orës së Maleve’ është një thirrje për vetëdijen dhe një kujtesë kolektive”, ka thënë Ambasadorja e Shqipërisë, Zhaklina Peto

Rozhajë – Edicioni i 15-të i Manifestimit tradicional kulturor “Ora e Maleve”, i cili organizohet nga mësuesi, publicisti dhe veprimtari Ali Daci, ka mbledhur të shtunën (17 maj 2025) në Qendrën e Kulturës në Rozhajë poetë, artistë, aktivistë etj. nga treva të ndryshme ku jetojnë shqiptarët në rajon dhe në diasporë.
Ai ka filluar me një minutë heshtjeje për dëshmorët dhe martirët e kombit nga Kosova, të vrarë në rrethinat e Rozhajës nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Për të pranishmit është shfaqur një program i pasur kulturor, ku poetët nga Kosova, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë deklamuar poezitë e tyre në Orën letrare, pastaj është shfaqur koncerti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Deçani” me këngë dhe valle nga Dukagjini, si dhe është shfaqur filmi i shkurtër “Furacaku” me regji të Renis Hykës.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, ka vlerësuar manifestimin “Ora e Maleve”, si një zë kumbues të gjuhës, të vlerave tona kombëtare, të kulturës, të traditës dhe historisë sonë që buron nga thellësitë e kohës.
“Ky manifestim është një dëshmi e gjallë e qëndresës sonë kulturore dhe shpirtërore në këto troje, ku shqiptarët kanë jetuar, kanë punuar dhe kanë kultivuar gjuhën e tyre ndër breza”, ka thënë ai.
Nika më tej ka nënvizuar se “ruajtja dhe promovimi i gjuhës sonë amtare në çdo cep ku flitet dhe këndohet gjuha e bukur shqipe, është jo vetëm detyrë kombëtare, por edhe garanci që kombi ynë do të mbijetojë krenar për kohën dhe shekujt që vijnë”.
Ai ka thënë se KKSH mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë vazhdimisht aktivitetet si manifestimi “Ora e Maleve” në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi.
E pranishme në këtë manifestim, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Zhaklina Peto, ka thënë se “Ora e Maleve” është një ngjarje e cila përfaqëson më shumë se sa një festë letrare apo filmike.
“Është një akt simbolik i ruajtjes së identitetit tonë kombëtar në një prej zonave ku kjo ndjeshmëri ka një domethënie të veçantë. Rozhaja me rrënjë të thella historike, kulturore dhe shpirtërore, përballet sot me sfidën reale të asimilimit të heshtur. Në këtë kontekst, organizimi i ‘Orës së Maleve’ është një thirrje për vetëdijen dhe një kujtesë kolektive. Sepse gjuha, fjala artistike, letërsia dhe filmi janë mjetet më të fuqishme që ne kemi për të ruajtur atë që na përkufizon si shqiptarë”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, kjo ngjarje sot dëshmon më shumë se kurrë se fjala shqipe ka zë edhe atje ku shpesh përpiqen që të heshtë.
“Ruajtja e shkollës shqipe në Rozhajë, nxitja e jetës kulturore dhe fuqizimi i rritjeve ndërkombëtare shqiptare, mbeten prioritete strategjike të shtetit shqiptar. Ne zotohemi se do të jemi pranë jush me vepra”, ka theksuar Peto.
Organizatori ka ndarë çmime dhe mirënjohje për disa prej pjesëmarrësve në manifestim, figura të shquara të artit dhe kulturës, aktivistë etj.
Manifestimi kulturor “Ora e Maleve” është një ngjarje e përvitshme kulturore, e themeluar në vitin 2009 nga organizatori i tij, Ali Daci. Ky manifestim përkujton me nderim viktimat e masakrës së vitit 1999 në fshatin Husaj të komunës së Rozhajës, ku u vranë 21 të ikur kosovarë gjatë luftës së Kosovës, dhe shërben si një homazh për qëndresën dhe vuajtjet e shqiptarëve në kohë të vështira.

i. k.


“Gjurmët e përjetshme” të Kaltrina Hotit

Në kuadër të programit të manifesimit “Ora e Maleve” është hapur ekspozita personale e piktores nga Plava, Kaltrina Hoti, me titull “Gjurmë e përjetshme”.
Duke folur për krijimtarinë e Hotit, piktori Musa Prelvukaj ka thënë se ajo është një artiste e gjithanshme, e cila i bën hapat një nga një për të arritur një qëllim më madhor – atë të një karriere më të gjatë artistike.
Ai ka thënë se piktorja Kaltrina Hoti është e orientuar tek arti abstrakt, ku e gjen veten më së miri dhe ku shprehet më së miri, ku shohim një thellësi të veçantë të abstraksionit dhe ku secila vepër ka një porosi.
Ndërsa vetë piktorja ka thënë se artistët kanë nevojë për kohë dhe se është shumë e rëndësishme se kah kapërcejnë derisa arrijnë kulmin e tyre.
“Në veprat e mia, zakonisht, unë gjithmonë e kam nga një element të identitetit tim. Dhe gjithmonë mundohem ta shpërndaj atë në mënyrë reale, mirëpo gjithmonë në fund është edhe një shpresë. Ne si pakicë shqiptare në Mal të Zi, gjithmonë do të jemi të sfiduar me tema të ndryshme. Në pikturën time unë them se çdo sfidë që na paraqitet jemi në gjendje për ta tejkaluar dhe nga ajo sfidë fitojmë guxim dhe shpresë për më mirë në të ardhmen”, është shprehur Hoti.

Të fundit

më të lexuarat