Ulqin – Në ditët dhe javët e fundit, qyteti i Ulqinit ka qenë në qendër të vëmendjes kombëtare dhe ndërkombëtare, si pasojë e një reagimi të fuqishëm qytetar dhe politik kundër planeve të qeverisë malazeze për zhvillime të diskutueshme investuese në zonën e Plazhit të Madh.
Ky mobilizim i gjerë përfshin qytetarë, subjekte politike lokale dhe kombëtare, përfaqësues të pushtetit lokal si dhe deputetë në Parlamentin e Malit të Zi.
Në një akt simbolik të mosbindjes civile dhe unitetit qytetar, të enjten e 15 majit, u bllokuan rrugët hyrëse për në Ulqin, në Krruç dhe në Sukubinë, me qëllim dërgimin e një mesazhi të qartë ndaj qeverisë dhe investitorëve të huaj se “Ulqini nuk është në shitje pa vullnetin e komunitetit vendor”.
Protesta u organizua në një moment strategjik, gjatë vizitës së investitorit të fuqishëm Mohamed Alabar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe u shoqërua me fjalime të forta dhe të vendosura nga udhëheqësit politikë shqiptarë të Malit të Zi.
Në thelb të deklaratave të tyre ishte mbrojtja e tokës dhe e pasurisë natyrore si trashëgimi e çmuar që i përket brezave të ardhshëm dhe jo një objekt spekulimi ekonomik pa konsensus lokal.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu ka thënë se me dy akte simbolike – ndalimin e qarkullimit në rrugën Ulqin-Tivar dhe Shkodër-Ulqin – po u tregojmë investitorëve të mundshëm se nuk mund të veprohet pa vullnetin tonë.
“Të gjithë së bashku – subjektet politike dhe qytetarët – jemi unikë në qëndrimin se toka jonë nuk është në shitje për 100 vitet e ardhshme”, ka thënë ai.
Deputeti Mehmed Zenka, njëherazi kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, ka thënë se nuk kanë dalë në protestë për të mbrojtur interesat e tyre personale.
“Jini të bindur se këtu jemi të gjithë bashkë dhe duhet të përfshihet i gjithë qyteti i Ulqinit, sepse kemi të bëjmë me fatin e fëmijëve tanë, nipërve tanë dhe me fatin e katër brezave. Kemi të bëjmë me të ardhmen e qytetit tonë. A dëshirojmë që të falimentojë krejt kapitali që ky qytet, ky popull e ka mbledhur me mund – si nga jashtë, ashtu edhe nga kapacitetet e brendshme?”, ka pyetur ai.
Të njëjtin qëndrim kanë shprehur edhe nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sella, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Saubih Mehmeti, të cilët theksuan nevojën për investime të rregullta, transparente dhe të dakorduara me qytetarët e komunës së Ulqinit.
“Jemi edhe në pikën kufitare në Sukubinë, sepse duhet ta kuptojë jo vetëm Ulqini, por edhe vendet fqinje dhe i gjithë rajoni i Ballkanit, që të na ndihmojnë në këtë çështje. Ulqini nuk është në shitje. Plazhi i Madh nuk është në shitje. Jo se Komuna e Ulqinit nuk i pranon investimet – i pranon investimet – por ato duhet të vijnë në mënyrë të rregullt dhe transparente”, ka thënë Sella.
Kryetari i LD në MZ, Saubih Mehmeti ka thënë se mendon se ka kaluar koha e deklaratave dhe se ka ardhur momenti që të angazhohemi drejtpërdrejt në aksionin për mbrojtjen e qytetit tonë – për mbrojtjen e Plazhit të Madh (Plazhit të Shtojit), i cili, sipas tij, “është hapësira më vitale e Ulqinit dhe që ka garantuar dhe vazhdon të garantojë, një të ardhme të begatë për pasardhësit tanë ndër breza e shekuj”.
Organizatorët e protestave kanë shpërndarë për shoferët e automjeteve fletëpalosje me informacione kryesore mbi qëllimet e protestës dhe kundërshtimit të marrëveshjes ndërqeveritare ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ky moment historik në Ulqin nuk është vetëm një protestë kundër një projekti, por një betejë më e gjerë për të drejtën për vendimmarrje lokale, mbrojtjen e identitetit, të trashëgimisë dhe së ardhmes së qytetit. Ulqini po flet dhe zëri i tij po dëgjohet gjithnjë e më larg.
D. Teliqi

Qëllimi i Komunës, tërheqja e investitorëve seriozë dhe të përgjegjshëm
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, të enjten, më 15 maj 2025, ka pasur rast që të bisedojë me investitorin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabar, të cilit ia ka prezantuar potencialet zhvillimore të komunës së Plavës, me fokus të veçantë në trevën Bogiqevica.
Ai ka paraqitur atë çfarë është përcaktuar me dokumentet planifikuese, cilat janë mundësitë e investimit dhe çfarë përfitimesh do të mund të rrjedhin, si për popullatën lokale, ashtu edhe për vetë investitorin.
Komuna e Plavës është e orientuar në joshjen e spektrit të gjerë të investitorëve seriozë, ndërsa bisedimet si këto janë pjesë e strategjisë së hapjes ndaj të gjithë partnerëve të cilët dëshirojnë të investojnë në përputhje me ligjin dhe dokumentacionin e planifikimit, duke respektuar plotësisht traditën dhe veçantitë e mjedisit tonë.
“Qëllimi ynë është që në Plavë të sjellim investitorë cilësorë dhe të përgjegjshëm, të cilët do t’i kontribuojnë hapjes së vendeve cilësore të punës, avancimit të infrastrukturës dhe standardit më të mirë të jetës për qytetarët tanë”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fund të bisedës me investitorin arab, Mohamed Alabar.
Sh. Hasangjekaj
