Kopshte, shkolla dhe kënde lojërash për të gjithë fëmijët

Misioni i të gjithë neve duhet të jetë: kopshte, shkolla dhe kënde lojërash për të gjithë fëmijët. Kopshte me hapësira të mjaftueshme, oborre për qëndrim në ajër të pastër dhe lojëra me rekuizita, terrene sportive, salla e pishina. Kopshti duhet të jetë vendi ku fëmijët të avancojnë në rritjen dhe zhvillimin e përgjithshëm përmes lojës, mësimit dhe argëtimit

Fëmija është i lumtur kur t’i japim dhe t’i ofrojmë kohë dhe kushte optimale për lojë.
Fëmijët duhen të rriten dhe të jenë të rrethuar me njerëz që rrezatojnë lumturi, të përkrahen, t’u jepet dashuri pa kufi.
Fëmijët janë të prirur të zbulojnë, të njohin botën që i rrethon, kurse ne jemi ata që këtë mjedis ta ruajmë dhe begatojmë për fëmijët tanë, për ardhmërinë tonë.
Cetina është qyteti i parë në Mal të Zi, i cili nisi dhe e përkrahu iniciativën “Kopshti për të gjithë fëmijët”, që do të thotë kopshti pa pagesë për çdo fëmijë.
Po Ulqini, ku është dhe sa kontribuon në këtë aspekt?!
Sa kopshte, shkolla, parqe për lojë, salla sportive janë planifikuar dhe ndërtuar në qytetin tonë?!
Sa fëmijë për shkaqe financiare nuk mund ta vijojnë kopshtin, sa fëmijë për shkak të mungesës së hapësirës, objekteve, infrastrukturës jo të mjaftueshme mbesin të papërfshirë në ente parashkollore?!
Çfarë kushtesh hapësinore, mjetesh dhe pajisjesh posedojnë kopshtet, shkollat në qytetin tonë?!
Ku ishim dhe ku jemi, sa kemi kontribuar në këtë drejtim?
Kopshti i fëmijëve në Ulqin është donacion i shtetit austriak, kopshti në Katërkollë donacion i shtetit holandez me rastin e tërmetit katastrofik të vitit 1979. Shkolla fillore “Marshall Tito“ po ashtu donacion i popullit italian… Çka është ndërtuar për fëmijët tanë me mjetet dhe fondet tona?!
A duhet edhe sot në vitin 2025 fëmijët t’i mbajmë nëpër objekte të huazuara, shtëpi private që nuk i plotësojnë as kushtet minimale për punë, pa hapësira të mjaftueshme, pa kënde për lojë, oborre për qëndrim në ajër të pastër.
Misioni i të gjithë neve duhet të jetë: kopshte, shkolla dhe kënde lojërash për të gjithë fëmijët. Kopshte me hapësira të mjaftueshme, oborre për qëndrim në ajër të pastër dhe lojëra me rekuizita, terrene sportive, salla e pishina. Kopshti duhet të jetë vendi ku fëmijët të avancojnë në rritjen dhe zhvillimin e përgjithshëm përmes lojës, mësimit dhe argëtimit.
Të investosh në kopshte, ke investuar në krijimin e bazave të një shoqërie të shëndoshë në të ardhmen.

Lumnije Bisha

Të fundit

më të lexuarat