Kërkojnë drejtësi pas 20 vitesh harresë!

Ulqin – Ish-punëtorët e ndërmarrjes së dikurshme Kriporja e Ulqinit “Bajo Sekuliq” kanë vazhduar aksionet e tyre protestuese për shkak të mosshlyerjes së pagave dhe sigurimeve shoqërore.
Në një mbledhje të mbajtur më 4 maj, ish-punëtorët e Kripores kishin vendosur në mënyrë unanime që të shtunën, më 10 maj, në orën 11:00, të bllokojnë për një orë rrugën hyrëse në qytetin e Ulqinit, pranë objektit të kompanisë ”Kips“. Ky veprim është paralajmëruar dhe zyrtarisht njoftuar në polici. Bllokadat e rrugëve do të vazhdojnë çdo javë dhe në fazën fillestare do të zgjasin nga një orë.
Mbledhja u mbajt me rastin e 20-vjetorit të fillimit të falimentimit përmes riorganizimit në këtë ndërmarrje, dikur ndër më të rëndësishmet në Ulqin.
Sipas përfaqësuesve të punëtorëve, atyre u detyrohen rreth 900 mijë euro për paga të pashlyera dhe kontribute për pesë vite e gjysmë punë. Ata theksojnë se durimi ka arritur në fund dhe se tashmë ka ardhur koha që shteti të ndërhyjë për të zgjidhur këtë padrejtësi shumëvjeçare.
Kriporja ka qenë në falimentim të programuar që nga viti 2005, ndërsa në vitin 2011 ka kaluar në falimentim klasik. Aktiviteti prodhues është ndalur plotësisht në vitin 2013, me vjeljen e fundit të kripës. Që atëherë, pasuritë e kompanisë janë shitur pjesë-pjesë, përfshirë hekurishtet, pajisjet, automjetet dhe inventarin.
Në depozitat e mbetura gjenden ende rreth 300 tonë kripë e papërpunuar nga viti 2013, e cila, për shkak të mungesës së kushteve adekuate të ruajtjes, mund të shfrytëzohet vetëm për pastrimin e rrugëve gjatë dimrit. Situata është rënduar më tej pas dëmtimeve të fundit në hangar, ku për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe erërave të forta, gjysma e çatisë dhe e mbulesës janë shkatërruar.
Punëtorët theksojnë se nuk do të tërhiqen nga protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre dhe se janë të gatshëm për një radikalizim të mëtejshëm të aksioneve nëse heshtja e institucioneve vazhdon.
Në protestën e 10 majit ishin të pranishëm më shumë se 40 ish-punëtorë të ndërmarrjes. Bllokimi i rrugës filloi në orën 11:00 dhe zgjati për një orë.
Protestuesit shprehën zemërimin e tyre për mospërfilljen shumëvjeçare ndaj të drejtave të tyre ligjore dhe kërkuan që shteti dhe drejtuesit e procedurës së falimentimit të ndërmarrin hapa konkretë për t’i kompensuar. Ata pretendojnë se u detyrohen rreth 900 mijë euro dhe se nuk u janë lidhur pesë vite e gjysmë përvojë pune në sistemin pensional.
“Kjo nuk është një protestë për të krijuar telashe për qytetarët. Por jemi të detyruar të radikalizojmë veprimet tona, sepse për vite me radhë askush nuk na ka dëgjuar”, deklaroi për media përfaqësuesi i punëtorëve Veselin – Sasha Mitroviq.
Ai shtoi se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protestat do të vazhdojnë çdo të shtunë, përfshirë edhe bllokimin e rrethrrotullimit te kthesa për Valdanos.
Policia ka qenë e pranishme gjatë protestës, duke menaxhuar qarkullimin dhe duke udhëzuar drejtuesit e automjeteve në rrugë alternative. Bllokimi shkaktoi radhë të gjata dhe ndërprerje të dukshme në qarkullim.
Punëtorët kërkojnë që shteti më në fund të marrë përgjegjësinë për zgjidhjen e çështjes së tyre dhe të vendosë drejtësi për vitet e tyre të punës së pandërprerë, në kushte të vështira dhe pa shpërblim.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat