Sezoni nis, por plazhet pa drejtim të qartë

Megjithëse sezoni ka nisur simbolikisht më 1 Maj, procesi i qiradhënies së plazheve në Mal të Zi ende nuk është përmbyllur plotësisht. Marrëveshja për investimin e paralajmëruar në Plazhin e Madh nga kompania “Emmar” e Mohamed Alabbarit është ende në pritje të aprovimit nga Kuvendi

Toni Ujkaj

1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, përkujtohet çdo vit në shumë vende të botës.
Kjo është një ditë që shënon reflektim për të drejtat e punëtorëve, por në Mal të Zi merr edhe një dimension tjetër: atë të hapjes jozyrtare të sezonit turistik veror.
Në qytetet bregdetare, kjo ditë nuk përjetohet vetëm si një pushim zyrtar, por si një hyrje festive në një periudhë të re.
Ndërsa temperaturat fillojnë të ngrohen dhe bregdeti fillon të tërheqë një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh, qytetarët e rajonit e shfrytëzojnë këtë periudhë për të kaluar disa ditë pranë detit, për t’u larguar nga rutina dhe për të përjetuar atmosferën e një fillimi të ri.
1 Maji nuk është vetëm Festa e Punëtorëve, por një mundësi për të festuar pranverën dhe për të shijuar natyrën e pasur që ofrojnë këto qytete bregdetare.

Një ndër qytetet më të vizituara për 1 maj, por edhe gjatë sezonit, është Ulqini, një destinacion i përhershëm për qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Malësia dhe më gjerë. Me plazhet e tij të gjata, ujin e pastër, natyrën e bukur dhe ofertat e larmishme turistike, Ulqini ka krijuar një profil të veçantë si qytet që ofron përvoja për të gjitha moshat dhe interesat


Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria për Statistika “Monstat”, në muajin mars 2025, në akomodimin kolektiv në Mal të Zi (hotele, motele, resorte turistike etj.) janë realizuar 54.965 vizita dhe 127.677 net qëndrimi nga turistët.
“Prej numrit total të netëve të qëndrimit në akomodimin kolektiv, 76.8% janë realizuar nga turistë të huaj, ndërsa 23.2% janë realizuar nga turistët vendas. Në strukturën e netëve të qëndrimit sipas llojeve të vendeve turistike, në mars 2025, numri më i madh i netëve të qëndrimit u realizua në vendet bregdetare (72.5%), në kryeqytet (18.2%), në vende të tjera (6.3%) dhe në vendet malore (2.9%)”, theksojnë nga Monstat.
Një ndër qytetet më të vizituara për 1 maj, por edhe gjatë sezonit, është Ulqini, një destinacion i përhershëm për qytetarët nga Shqipëria, Kosova, Malësia dhe më gjerë. Me plazhet e tij të gjata, ujin e pastër, natyrën e bukur dhe ofertat e larmishme turistike, Ulqini ka krijuar një profil të veçantë si qytet që ofron përvoja për të gjitha moshat dhe interesat.
Sipas faqes zyrtare të Organizatës Turistike të Ulqinit, ky qytet ofron një sërë aktivitetesh atraktive, duke përfshirë: kite surf, kalërim, zhytje nën ujë, joga, peshkim nënujor, shëtitje natyrore, gjueti, vëzhgim të shpezëve, kanioning në kanionin e Megjureçit, tenis, off-road & ATV, sporte ujore dhe ecje malore (hiking).
Këto aktivitete jo vetëm që pasurojnë përvojën turistike, por e bëjnë Ulqinin një destinacion të shumëkërkuar për të gjithë ata që kërkojnë natyrë, relaks dhe aventurë.
Në këtë periudhë të vitit, hotelierët dhe bizneset lokale përgatiten me përkushtim për të mirëpritur vizitorët e parë të sezonit.
1 Maji shënon një nisje simbolike të një periudhe të gjatë, ku qytetet bregdetare vihen në qendër të vëmendjes si motorë të turizmit, një sektor jetik për ekonominë vendase.
Megjithëse sezoni ka nisur simbolikisht me 1 Maj, procesi i qiradhënies së plazheve në Mal të Zi ende nuk është përmbyllur plotësisht. Marrëveshja për investimin e paralajmëruar në Plazhin e Madh nga kompania “Emmar” e Mohamed Alabbarit është ende në pritje të aprovimit nga Kuvendi.

Ky projekt është shoqëruar me kundërshtime të forta nga qytetarët e Ulqinit, të cilët kanë protestuar duke shprehur shqetësimin e tyre për ndikimin që mund të ketë në mjedis dhe në karakterin e zonës


Ky projekt është shoqëruar me kundërshtime të forta nga qytetarët e Ulqinit, të cilët kanë protestuar duke shprehur shqetësimin e tyre për ndikimin që mund të ketë në mjedis dhe në karakterin e zonës.
Kjo e lë të hapur një kapitull të rëndësishëm për të ardhmen e turizmit në këtë pjesë të bregdetit, ndërsa qyteti vazhdon të presë vizitorët me ofertën dhe energjinë që e karakterizon.
Në këtë kuptim, 1 Maji është më tepër se një ditë pushimi zyrtar – është një hyrje drejt verës, një frymë pozitive që rikthen energjinë dhe lidhjen me natyrën, duke rikthyer gjallërinë në qytetet që gjatë dimrit jetojnë në qetësinë e tyre të zakonshme.

Të fundit

më të lexuarat