Avokati dhe aktivisti shumëvjeçar i Komitetit Malazez të Helsinkit për të drejtat e njeriut, Kolë Camaj, dhe anëtari i Iniciativës Qytetare “21 Maji” dhe aktivisti për të drejtat e njeriut dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Komitetit Malazez të Helsinikit, Mr. Aleksandar Sasha Zekoviq, i kanë dërguar iniciativë Kuvendit të Komunës së Tivarit që një rrugë në këtë qytet të emërtohet “Rruga e viktimave të Masakrës së Tivarit”.
Në iniciativën e tyre ata theksojnë se këtë vit janë mbushur 80 vjet prej kësaj masakre dhe se motivet e kësaj iniciative kanë të bëjnë vetëm me të drejtat e njeriut dhe pajtimin, bazuar në standardet e të drejtave të njeriut dhe vlerat e Këshillit të Evropës.
Sipas tyre, Komuna e Tivarit duhet t’i kontribuojë procesit të ballafaqimit me të kaluarën, bazuar në fakte, duke kundërshtuar revizionizmin historik dhe relativizimin e fakteve të pakontestueshme historike.
Në arsyetimin e iniciativës së tyre, ata u referohen burimeve të ndryshme, përfshirë edhe ato ushtarake jugosllave, që konfirmojnë se kjo masakër ka ndodhur.
Masakra e Tivarit, në mars dhe prill të vitit 1945, konsiderohet një prej masakrave më të mëdha të kryera ndaj shqiptarëve nga pushteti komunist në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe një ndër më të mëdhatë në historinë e popullit shqiptar.
(Kohapress)