Artistja e re nga Ulqini, Emina Nimanbegu, është fituese e Çmimit Special për Artistët e Rinj, që ndahet për artistët nën 30 vjeç nga Shoqata e Artistëve Figurativë të Malit të Zi.
Asaj i është ndarë ky çmim për punimin “Pa titull”, të enjten mbrëma (27 mars 2025), me rastin e hapjes së ekspozitës tradicionale të 80-të jubilare të këtij asociacioni më të madh në vend në fushën e artit figurativ, i cili tubon 620 piktorë, skulptorë etj.
Punimi i Nimanbegut është vlerësuar më i miri në kategorinë e artistëve të rinj nga juria, në krye të së cilës ka qenë Mr. Milica Bezmareviq, historiane e artit, ndërsa anëtarë Zdravko Delibashiq Beli, Nikolla Radonjiq, Tijana Vujoviq dhe Marko Petroviq Njegosh.
Në arsyetimin e jurisë thuhet se “në punimin e Emina Nimanbegut dallohet kurioziteti krijues dhe përpjekjet hulumtuese të artistes së re për të shqyrtuar mundësitë e shprehjes së saj artistike përmes llojeve të ndryshme të materialeve, përmes eksperimentimit dhe kërkimit. Kjo qasje ka arritur njëfarë dinamizmi dhe rrëfimi specifik në punën e saj, gjë që jep besim në zhvillimin e ardhshëm të punës së saj artistike”.
Përpos Çmimit për Artistin e Ri më të Mirë, SHAFMZ ka ndarë me këtë rast edhe Çmimet “Llubarda – Stijoviq – Millunoviq”, Çmimin Vjetor për ekspozitën më të mirë individuale dhe Shpërblimin Blerës në bashkëpunim me Muzeun e Artit Bashkëkohor të Malit të Zi.
Nimanbegu thotë se ky çmim është një vlerësim shumë i rëndësishëm për të, jo vetëm si artiste e re, por edhe si dëshmi që puna e saj dhe mënyra si e shpreh veten përmes artit rezonon me të tjerët.
“Është një nxitje për të vazhduar me më shumë guxim dhe pasion në rrugëtimin tim krijues”, shprehet ajo.
Gjatë karrierës së deritashme, Nimanbegu ka fituar edhe çmime të tjera, megjithatë sipas saj, çdo vlerësim ka rëndësinë e vet.
“Ky çmim, në veçanti më gëzon shumë, sepse vjen nga një ekspozitë me traditë dhe nga një komunitet artistësh që e vlerësoj shumë”, thotë ajo.
Ndërkaq, duke folur për idenë dhe mesazhin që pëçon punimi i saj fitues, artistja Nimanbegu shprehet se ai paraqet interpretim vizual të një qyteti, i ndërtuar nga pjesë të papërsosura materiali, që mbartin në vetvete fragmente kujtimesh.
“Materiali tekstil me format e kufizuara shërbejnë si metaforë për një botë të thjeshtëzuar, por të ngarkuar emocionalisht”, thekson ajo.
Përpos talentit të saj individual, fitimi i këtij çmimi nga artistja Nimanbegu është edhe dëshmi e traditës artistike në Ulqin, që në artin modern fillon me piktorët e ndjerë Rudi Goga dhe Gjergj Noc Martini e që vazhdon deri te brezi më i ri i piktorëve, të cilit i përket edhe Emina Nimanbegu.
Emina Nimanbegu ka përfunduar studimet baçelor dhe master në Fakultetin e Dizajnit dhe Multimedias të Universitetit Donja Gorica në Podgoricë. Deri tani ka realizuar katër ekspozita personale në Ulqin dhe Podgoricë, si dhe është pjesëmarrëse në më shumë se 40 ekspozita kolektive ndërkombëtare. Përvoja e saj në fushën e artit përfshin pjesëmarrje të rregullta në koloni dhe simpoziume artistike ndërkombëtare.
Përpos Çmimit Special për Artistët e Rinj – SHAFMZ (2025), ajo është fituese e konkursit për muralin e Stana Tomasheviqit në Tivar (2023), si dhe ka fituar Çmimin e Dytë për dizajnin e logos për Sveti Stefan Hotels (2020).
Është anëtare e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi.
i. k.