Tuz – Komedia “Çifti i hapur”, një vepër e shkruar nga Dario Fo (fitues i Çmimit “Nobel”) dhe bashkëshortja e tij Franca Rame, që është vënë në skenë falë bashkëpunimit midis Institucionit Nacional “Teatri i Gostivarit” dhe Teatrit “Aleksandër Moisiu” i Durrësit u shfaq të premten mbrëma në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”.
Kjo komedi u prit shumë mirë nga publiku i pranishëm, pasi bëhet fjalë për një vepër teatrore e cila është vlerësuar dhe ka arritur popullaritet kudo është dhënë deri më tani – Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinë, Turqi etj.
Kjo vepër është një situatë e pazakontë, ku bashkëshorti përpiqet ta bindë bashkëshorten e vet për t’u hapur si çift, respektivisht që këta të kenë edhe lidhje të tjera dashurore me njerëz të tjerë.
Për të treguar më gjerësisht mbi situatën që përshkruan kjo vepër teatrore, regjisori Sulejman Rushiti, njëherësh drejtor i Teatrit të Gostivarit, në prononcimin për gazetën “Koha javore” thotë se këtë gjë gruaja nuk e pranon, “mirëpo ai vazhdon që ta bindë, vazhdon që të këmbëngulë dhe vazhdon që për vete të ketë një lidhje. Dhe në një moment kur gruaja e pranon propozimin e tij, i thotë që edhe kjo ka filluar të ketë një lidhje, dhe aty fillon që të jetë kthesa”.
Regjisori i komedisë “Çifti i hapur”, Sulejman Rushiti shprehet se kemi të bëjmë me një vështrim komik, me një komedi në lidhje me jetën bashkëshortore dhe me dëshirën e burrit që të ketë dhe lidhje të tjera, duke e shitur këtë si mundësi edhe për gruan, respektivisht që të jenë të dy të hapur, “por pastaj kjo gjë fillon ta brejë atë dhe nuk e pranon më këtë lloj çështjeje të hapur, kur edhe gruaja ka një lidhje”.
Kjo vepër teatrore që është një komedi situatash të pazakonta, si çdo vepër tjetër, përcjell shumë mesazhe, mirëpo siç thotë regjisori Sulejman Rushiti, nëse do duhej të zgjidhte vetëm një mesazh, atëherë ai do të ishte që “për çdo gjë në jetë, vërtetësia dhe sinqeriteti është më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Ajo që thuhet dhe bëhet të jetë e sinqertë dhe jo vetëm për të kënaqur egon e vet, secili”.
Ai tha se deri më tani kjo komedi është shfaqur në shumë vende dhe se rrugëtimi i saj do të vijojë tutje.
“Sepse kemi ftesa për të shkuar në Kroaci, Zvicër etj. dhe mendojmë që do të jetë një shfaqje jetëgjatë. Është një komedi e cila pritet shumë mirë, kudo”, thotë Rushiti.
Premiera e komedisë “Çifti i hapur” është dhënë më 28 nëntor 2023 në Teatrin e Metropolit të Qendrës Kulturore Tirana, ndërsa është hera e parë që shfaqet në Tuz.
t. u.