Guci – Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka me bashkëpunëtorët e vet, Astrit Hoxha, Arben Xhurreta dhe Kristijan Dukaj, janë takuar të mërkurën e kaluar (29 janar 2025) me përfaqësuesit e Komunës së Gucisë – kryetarin e Kuvendit, Edvin Bektesheviq, dhe nënkryetarët Asdren Çelaj dhe Hajrija Feratoviq.
Nënkryetarja e Komunës së Gucisë, Hajrija Feratoviq, i ka njoftuar mysafirët e lartë nga Podgorica me detyrat dhe punët e përditshme të qeverisjes lokale.
Nga ana tjetër, ministri Gjeka, pasi i ka falënderuar nikoqirët për mikpritjen e përzemërt, ka theksuar ndër të tjera se Gucia është shembull i bashkëjetesës së suksesshme të popujve pakicë dhe simbol i lidhjes së fuqishme të trevës së vendlindjes dhe diasporës së shumënumërt të saj.
Në komunikatën për media të Komunës së Gucisë thuhet se në takimin dypalësh është biseduar për mbrojtjen e të drejtave të popujve pakicë, avancimin e tyre, pozitën e tyre, realizimin e mundësive të barabarta politike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së grupeve shoqërore vulnerabël.
Në të po ashtu thuhet se ministri Gjeka dhe bashkëpunëtorët e tij janë njohur me sfidat aktuale të shumëfishta dhe komplekse me të cilat ballafaqohet Gucia.
Në takim po ashtu është nënvizuar potenciali i madh turistik i Gucisë, i cili paraqet një ndër pasuritë kyçe natyrore të Malit të Zi.
Përfaqësuesit e Komunës së Gucisë kanë falënderuar ministrin Gjeka dhe bashkëpunëtorët e tij për vizitën, për interesimin e treguar mbi gjendjen e vetëqeverisjes lokale si dhe për rastin për të biseduar mbi planet për përmirësimin e cilësisë të jetës së bashkëqytetarëve të vet.
Në komunikatën për media theksohet po ashtu se janë trajtuar dhe shqyrtuar edhe çështja e përfaqësimit të pakicave në sistemin e administratës si dhe përpjekjet për barazinë gjinore e nacionale në institucionet e ndryshme.
Takimi, ku të pranishëm ishin edhe disa drejtues të tjerë të organeve të qeverisjes lokale, është zhvilluar pas përfundimit të punëtorisë kushtuar digjitalizimit të gjuhës shqipe në Mal të Zi.
Sh. Hasangjekaj