Çfarë janë ziliqarët?

Nuk jam penduar kurrë për të mirën që ua kam bërë njerëzve. Zemra ime gjithmonë gjen paqe në çdo mirësi që kam dhuruar dhe kurrë nuk është kthyer mbrapsht, por sot shoqëria krijon modelin e të shëmtuarës

Esat Mehmeti

Zilia është një nga temat e trajtuara shumë herë, sidomos nga psikologët. Shpesh lind pyetja: Pse janë njerëzit ziliqarë dhe çka është zilia? Zilia është një ves i keq dhe nuk shkakton kënaqësi, por vetëm urrejtje, andaj dhe hipokrizia e personit ziliqar është e pafundme. Ziliqari është si krimbi i cili përpiqet të përshkojë çdo pjesë të trupit.
Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe ”Ziliqar është personi që i ka zili të tjerët, që ndien zili për të tjerët; që shpreh zili, smirëzi” (f. 2243).
Një “mik” ziliqar bën komplimente të paqarta. Ai tenton të zvogëlojë sukseset tuaja. Ai krijon tendencë për të ulur ose zvogëluar meritat, talentin e aftësitë tuaja. Fytyrat e ziliqarëve fshehin pasigurinë. Ata ndihen mirë kur të tjerët dështojnë. Kjo është ndjenja e inferioritetit dhe dëshira e tij e papërmbajtur. Njerëzit bëhen ziliqarë sidomos nga arritjet e njerëzve që i konsiderojnë të rangut të tyre. Zilia vë në lëvizje njeriun kur sheh dikë që zotëron një të mirë, e cila i mungon atij. Ziliqari nuk iu dëgjon me kujdes, por i shpërfillur. Ai dëshiron të jetë i dobishëm, të japë një mendim të mençur apo të rëndësishëm, por për shkak se nuk mund të menaxhojë ndjenjën e xhelozisë, ai bën gjithçka që të duket si person tjetër.
Personi ziliqar, duke mbjellë pakënaqësi dhe shqetësim, thyen paktin e miqësisë. Ai falsifikon të vërtetën, shpik gënjeshtra në mënyrë që ta shohë personin tjetër të dorëzohet ndaj vlerave. Në shikim të parë, personi ziliqar duket i afërt dhe i këndshëm, por është e kundërta e asaj që ai ndien realisht. Ai përdor një lloj komunikimi të paqartë, me shaka dhe batuta për të maskuar atë që ai e ndien dhe vazhdon të luajë një rol mbizotërues. Ai thekson çdo gabim tuaj dhe synon të nxjerrë në pah qoftë edhe gabimin më të vogël tuajin, sepse ai dëshiron të të shohë të dështuar.

Fjalët boshe nuk të sigurojnë të ardhmen
Mendoj se e ndryshmja është vlera universale. Vërtet, unë ndoshta me pak vonesë e kam kuptuar se kur je shumë miqësor, kur je i sjellshëm dhe shumë i shoqërueshëm, njerëzit mendojnë ndryshe dhe fillojnë të tregojnë mos respektim ndaj teje. Ata e marrin mirësinë tënde si dobësi dhe mund të ecin pas tyre. Njerëzit ziliqarë fillojnë të të nënvlersojnë, duke menduar se ti je i butë, vetëm se ti je njeri i mirë, por në atë moment kur ti ndryshon sjelljen ndaj tyre, ata atëherë fillojnë e të respektojnë. Andaj dhe shenja e parë që tregon që një person është i keq, është e dukshme. Njerëzit ziliqarë nuk e vlerësojnë kurrë suksesin dhe të arriturat tuaja në jetë. Kjo shprehet atëherë kur ti ndryshon statusin social: ndërton shtëpi të re, ndërton familje të re, zë një punë të re, blen një veturë të re, apo arrin suksese të reja në jetën e përditshme.

Xhelozia dhe zilia shkojnë së bashku
Me një fjalë, ziliqarët janë njerëz të këqij, ata vuajnë kur ti je mirë, kur ju keni sukses dhe vjen një moment që ata thonë: “Pse mos t’i kem unë ato të mira, ato suksese, por i kanë ata …!” Këta janë xhelozë dhe bëjnë gjithçka që e keqja të vijë tek ju, e kështu vazhdojnë me syrin ziliqar, duke u kënaqur e zgërdhirë pas teje. Ai ndihet keq dhe nuk është i lumtur kur të sheh ty mirë dhe kur ti je i suksesshëm. Ai është i dehur nga zilia. Atë e verbon suksesi yt. Këta tipa i shkatërron shkëlqimi i syve tuaj kur ju jeni i lumtur, kur ju jeni mirë. Ata duan që ti mos të jesh i lumtur, ata e duan vetëm veten e tyre. Ata mendojnë se vetëm ata meritojnë të jenë të lumtur dhe askush.
Këta tipa mendojnë se çdo gjë që ti bën, është e gabuar, edhe pse ti në jetën tënde ke bërë sakrifica, ke bërë punë të mira dhe ke arritur suksese. Ai përsëri do të kritikojë e gjejë mënyrën e të thotë: “Çdo gjë që ke bërë ti, është e gabuar”. Po lind pyetja: Pse është kështu? Pse njeriu shpreh xhelozi, zili?
Thjesht, është ziliqar, sepse është ziliqar për ty, pra. E keqja dhe zilia janë bashkë, janë të pandara dhe të dyja shkojnë së bashku. Në vend që të gëzohet për suksesin, për të arriturat tuaja, për të gjitha ato gjëra që ti ke arritur, përsëri ai bëhet ziliqar dhe nuk është i lumtur. Ai nuk e dëshiron suksesin tënd. Atë e verbon suksesi yt. Ai nuk do që ti të jesh i buzëqeshur. Ai ndihet keq kur ty gjërat nisin të marrin rrugën e mbarë, rrugën e duhur, kur fati të troket në derë, ndërsa tek ai zilia bëhet bashkë me të keqen, me shpirtin e keq. Një shpirt ziliqar dhe i keq, është e keqja nga vetë e keqja. Larg prej tyre!
Megjithatë, sot është shumë vështirë të jesh më i keqi pasi që konkurrenca është shumë e madhe.

Të fundit

më të lexuarat