Malësia, qendra e universit tim

“Për mua Malësia, andej dhe këndej kufirit, është një. Për mua ky truall i shtrenjtë me të gjitha të mirat dhe mungesat e veta është qendra e universit tim, e ekzistencës dhe identitetit tim malësor. Pavarësisht prej asaj se ku do të më shkelë këmba, këtu në Koplik apo në Tuz, në Podgoricë apo në Tiranë, në Preshevë apo Tetovë, jam krenar që jam malësor”, ka thënë Gegaj

Koplik – Në një ceremoni solemne të organizuar më 14 janar 2025 në sallën e Këshillit Bashkiak të Malësisë së Madhe, ish-deputetit dhe ish-kryetarit të Komunës Urbane të Tuzit, Nikollë Gegaj, i është dorëzuar titulli “Qytetar Nderi” me motivacionin “për kontributin e çmuar të dhënë si politikan shqiptar në Malin e Zi, në vendosjen e marrëdhënieve të mira vëllazërore midis komunitetit shqiptar andej dhe këndej kufirit, si dhe një kontribut të madh në forcimin e marrëdhënieve midis komunitetit shqiptar dhe atij malazez, si shembulli më i mirë në rajonin ballkanik”.
Titullin ia ka dorëzuar kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, i cili në fjalën e tij ka vlerësuar meritat e Gegajt.
“Realisht më ka bërë përshtypje që vazhdimisht i mëshon pjesës së bashkimit të malësorëve, pavarësisht ideve, mendimeve, edhe interesave, sepse politika është edhe interes, futet edhe pjesa e pragmatizmit brenda”, ka theksuar ai.
Marinaj ka vënë në dukje se edhe si deputet, zëri i Gegajt ka qenë vazhdimisht i fuqishëm për malësorët e Malësisë së Madhe dhe për shqiptarët në përgjithësi.
“Jam shumë i kënaqur që kam të drejtë ta dorëzoj këtë titull dhe shpresoj që të mos ndalesh, të jesh prapë pjesë e politikës siç je, sepse ata që ndalen mendoj që nuk janë të fituar kurrë”, është shprehur ndër të tjera ai, duke nënvizuar se Gegaj e meriton plotësisht titullin.
Ndërsa Nikollë Gegaj, pas pranimit të titullit “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe, ka thënë se e ndien veten si asnjëherë më parë dhe se e pranon me shumë përulësi këtë nderim të madh që i bëhet, siç ka thënë ai, nga trualli ynë i përbashkët.
Ai ka falënderuar anëtarët e Këshillit Bashkiak të Malësisë së Madhe si dhe nismëtarët të cilët e kanë propozuar për këtë titull.
“Për mua Malësia, andej dhe këndej kufirit, është një. Për mua ky truall i shtrenjtë me të gjitha të mirat dhe mungesat e veta është qendra e universit tim, e ekzistencës dhe identitetit tim malësor. Pavarësisht prej asaj se ku do të më shkelë këmba, këtu në Koplik apo në Tuz, në Podgoricë apo në Tiranë, në Preshevë apo Tetovë, jam krenar që jam malësor”, ka thënë Gegaj.
Në vijim, ai ka thënë se është krenar që vjen nga shteti i Malit të Zi, i cili ka marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë.
“Andaj edhe në këtë kontekst shteti i Malit të Zi, Shqipërinë nuk e shikon vetëm si shtet fqinj, po si shtet mik, e shqiptarët i vlerëson siç i vlerëson mbarë bota përparimtare – si populli më i vjetër dhe më i lashtë i Ballkanit”, ka thënë Gegaj.
Fjalë miradije për Gegajn kanë thënë edhe disa prej pjesëmarrësve të tjerë në këtë ceremoni. Dorëzimi i titullit është bërë në prani të anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Malësisë së Madhe, intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme nga Mali i Zi dhe Shqipëria, përfaqësuesve të medias etj.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat