Iniciativë reformuese e nevojshme dhe e dobishme për qytetarët dhe proceset shoqërore

Në dy vitet e fundit, shumë herë kam argumentuar në favor të kësaj nevoje shoqërore dhe demokratike, për ç’gjë gjithmonë kam hasur në mbështetjen dhe mirëkuptimin e qytetarëve tanë dhe të partnerëve evropianë. Fatkeqësisht, kjo mbështetje ka munguar nga disa kolegë dhe politikanë malazezë

Marash Dukaj

.
Vetëm gjatë vitit 2024 kemi pasur shtatë procese zgjedhore në vendin tonë, të cilat sigurisht nuk do të përfundojnë kaq shpejt. Kjo do të thotë se qytetarët në disa komuna nuk do të kenë organe funksionale të vetëqeverisjes lokale.
Fatkeqësisht, nuk jemi përafruar drejt konsensusit politik për nevojën e padiskutueshme më të avancuar, më demokratike dhe më të dobishme për shoqërinë – të mbajtjes së të gjitha zgjedhjeve lokale në të njëjtën ditë dhe zgjedhjen drejtpërdrejt të kryetarëve të vetëqeverisjeve lokale.
Në dy vitet e fundit, shumë herë kam argumentuar në favor të kësaj nevoje shoqërore dhe demokratike, për ç’gjë gjithmonë kam hasur në mbështetjen dhe mirëkuptimin e qytetarëve tanë dhe të partnerëve evropianë. Fatkeqësisht, kjo mbështetje ka munguar nga disa kolegë dhe politikanë malazezë.
Ditën e fundit të majit i kam dërguar Kuvendit të Malit të Zi edhe zyrtarisht iniciativën për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, e cila përcakton që kryetari i vetëqeverisjes lokale të zgjidhet drejtpërdrejt dhe që zgjedhjet për kuvendet e të gjitha vetëqeverisjeve lokale në Mal të Zi të mbahen njëkohësisht, me qëllimin përfundimtar të aplikimit të listave të hapura ose gjysmë të hapura.
Në arsyetimin e iniciativës kam theksuar se në situatën e tanishme drejtuesit e vetëqeverisjeve lokale nuk janë persona të zgjedhur nga qytetarët, por për të cilët partitë politike janë pajtuar, se në legjislacionin në fuqi as nuk është përcaktuar që personi i tillë duhet të jetë nga radhët e këshilltarëve të cilët kanë fituar legjitimitet mbi bazën e vullnetit zgjedhor të qytetarëve, e të mos flasim për modelin e kryetarëve të komunave me rrotacion.
Përmbushja e këtyre dhe e interesave të tjera politike ditore janë arsyet kryesore të krizave në shumë njësi të vetëqeverisjes lokale. Nga ana tjetër, zgjedhja drejtpërdrejt nga qytetarët e kryetarëve të komunave dhe të Podgoricës (Kryeqytetit) dhe Cetinës (Qendrës historike) do të rezultonte pa dyshim me një shkallë më të lartë të përgjegjësisë së tyre ndaj qytetarëve, pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në procesin zgjedhor, konkurrencë të shëndoshë, besueshmëri më të madhe dhe rritje të ndjeshme të stabilitetit politik të vetëqeverisjeve lokale. E gjithë kjo do të kontribuonte në forcimin e proceseve demokratike në nivel lokal dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve përmes menaxhimit më efikas dhe më të përgjegjshëm.
Sa i përket pjesës së iniciativës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale njëkohësisht në të gjitha komunat – mendoj se për këtë çështje nuk ka nevojë të shpenzohen shumë fjalë, sepse për opinionin janë të njohura rastet konkrete të inxhinieringut politik dhe manipulimit të drejtpërdrejtë politik. Zgjidhja e iniciuar nga Ministria e Administratës Publike kontribuon në respektimin e parimit të barazisë përmes kushteve të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, pjesëmarrjen më të madhe të votuesve, racionalizimin e shpenzimeve, efikasitetin më të lartë të sistemit të vetëqeverisjes lokale dhe transparencë më të madhe.
Nuk ekziston asnjë argument i vetëm kundër këtyre iniciativave, ndërsa ka shumë argumente për. Për më tepër, duke pasur parasysh pat pozicionet në shumë vetëqeverisje lokale, vlerësoj se modeli aktual i zgjedhjeve është problemi kyç dhe se kemi një zgjidhje shumë të qartë para nesh.
Jam i vetëdijshëm se për çdo reformë kërkohet shumica prej dy të tretave e Kuvendit, ashtu siç jam i vetëdijshëm se për momentin nuk ekziston një shumicë e tillë për këtë ndryshim. Megjithatë, besoj se kompromisi është i mundur, prandaj shkruaj dhe flas shpesh për këtë temë.
Jam sinqerisht mirënjohës ndaj mediave të shumta, të cilat kanë njohur rëndësinë e kësaj iniciative, kurse shpreh mirënjohje të veçantë për Delegacionin e BE-së në Mal të Zi dhe Komisionin Evropian, të cilët publikisht kanë mbështetur synimet tona.
Jam thellësisht i bindur se kjo iniciativë është reformuese dhe e nevojshme, si dhe e dobishme edhe për qytetarët, edhe për proceset shoqërore. Kontaktet e shumta me qytetarë, persona jashtë politikës, më kanë bindur edhe më shumë për këtë.
Si ministër i Administratës Publike e kam detyrim të paraqes pikëpamjen time për mënyrën e zgjidhjes së sfidave me të cilat ballafaqohemi, pavarësisht nëse ekziston vullneti politik për realizimin e saj. E konsideroj edhe më shumë detyrim timin kur mungon vullneti politik. Këtë vazhdoj ta bëj edhe tani!
U bëj thirrje të hapur sektorit civil, mediave, opinionit profesionist, komunitetit akademik dhe të gjitha grupeve dhe individëve që në çfarëdo mënyre janë të njohur me sfidat e zgjidhjeve tona aktuale në lidhje me sistemin e vetëqeverisjes lokale dhe që e konsiderojnë të mirë këtë iniciativë – të shkruajnë për këtë temë dhe zgjidhjet e mundshme, ta trajtojnë atë duke e vendosur në agjendat e tyre.
Vetëm kështu, duke folur e shkruar për këtë, duke i parashtruar dhe përsëritur argumentet, do të ushtrojmë ndikim pozitiv dhe, besoj, do të arrijmë në një pikë kthese ku ndoshta, sigurisht pa vullnetin e shumë palëve, por megjithatë në fund do të arrijmë edhe konsensusin politik dhe do ta zbatojmë këtë reformë të rëndësishme.
Reforma e sistemit të vetëqeverisjes lokale gjendet lart në agjendën e prioriteteve të Ministrisë së Administratës Publike. Këtë e kemi konfirmuar me Ligjin e ri reformues për Vetëqeverisjen Lokale, sepse është obligimi ynë që qytetarëve t’u sigurojmë qeverisje lokale të organizuar në mënyrën më të mirë.
Këto reforma janë kyçe për depolitizimin dhe demokratizimin e administratës lokale dhe shoqërisë në tërësi. Ato shërbejnë si biletë për hyrjen e Malit të Zi në familjen e shteteve më të zhvilluara evropiane. Sa më parë që ta kuptojmë këtë dhe të ndërmarrim hapa konkretë, aq më shpejt do t’i përmbushim premtimet që ua kemi dhënë qytetarëve tanë – Mali i Zi si anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian.

(Autori është ministër i Administratës Publike në Qeverinë e Malit të Zi)

Të fundit

më të lexuarat