Çmimi Tradicional i “Art Club”-it për të arritura të jashtëzakonshme në shkencë, kulturë dhe art i është ndarë piktores Mr. prof. Zake Prelvukaj, me rastin e shënimit të 34-vjetorit të kësaj shoqate.
Në motivacionin e jurisë për ndarjen e Çmimit të “Art Club”-it, të përbërë nga Prof. dr. Tahir Arbneshi (profesor i kimisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”), Gjylie Pelingu (soprano, profesoreshë në shkollën e muzikës dhe baletit – Ulqin) dhe Nikollë Berishaj (shkrimtar dhe përkthyes), thuhet se Zake Prelvukaj “përfaqëson një urë të fuqishme mes artit tradicional dhe qasjeve bashkëkohore, duke kaluar përtej kufijve kombëtarë dhe duke i dhënë zë të denjë Kosovës, Malit të Zi dhe Ballkanit në skenën ndërkombëtare. Ajo simbolizon fuqinë e gruas krijuese dhe rezistente, që përmes artit përçon mesazhe universale të paqes, identitetit dhe vetëdijes njerëzore. Ajo është dëshmi e gjallë se arti mund të jetë një formë e fuqishme dialogu dhe rezistence, edhe në kohërat më të vështira”.
Ndër kontributet e veçanta të piktores nënvizohet se si artiste multidisiplinare ajo ka eksperimentuar në fusha të ndryshme të artit, duke përfshirë pikturën, instalacionet, performancën dhe artin publik; ajo ka ekspozuar në galeri prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Muzeun Kombëtar të Grave në Art në Uashington D. C., duke dëshmuar se arti nga rajoni ynë mund të jetë pjesë e koleksioneve më të njohura në botë; si profesoreshë e rregullt e pikturës në Universitetin e Prishtinës, ajo ka edukuar breza të tërë artistësh të rinj, duke u shndërruar në një figurë frymëzuese dhe udhëheqëse për artin shqiptar.
Siç vëren edhe juria në arsyetimin e vendimit të saj, për herë të parë në historinë e ndarjes së Çmimit të “Art Club”it, ai i jepet një femre, “duke theksuar jo vetëm rëndësinë e përfaqësimit gjinor, por edhe ndriçimin e një treve të veçantë, Plavë-Gucisë, që deri më tani nuk ka pasur laureatë të këtij çmimi”.
Duke folur për punën dhe vendimin e jurisë, njëri prej anëtarëve të saj, Nikollë Berishaj ka thënë se si juri e kanë pasur një detyrë bajagi të rëndë që, para së gjithash, ta ruajnë atë nivel që e kanë pasur fituesit e deritashëm të Çmimit, por njëkohësisht të përfshijnë edhe autorë, gjegjësisht artistë të cilët nuk i takojnë Ulqinit, Malësisë, as Plavë e Gucisë, por i takojnë krejt shqiptarëve të Malit të Zi, gjegjësisht krejt shqiptarizmës.
Në fjalën e saj pas pranimit të Çmimit, piktorja Zake Prelvukaj e ka vlerësuar fitimin e këtij çmimi ndër më të rëndësishmit deri tani në karrierën e saj.
“Kënaqësia më e madhe e një piktori, e një artisti, me rëniet dhe ngritjet e veta… është ajo kur vendi yt të shpërblen, të thirrë edhe të don. Çmimi më i madh i gjithë çmimeve që kam marrë unë në jetën time”, ka thënë ajo, duke shtuar se është e emocionuar, sepse Ulqinin, ku ka ardhur prej fëmijërisë, e konsideron si vendin e saj.
Duke e quajtur veten fëmijë të Kosovës, ku është rritur dhe e cila e ka çmuar, Prelvukaj ka thënë se “prapëseprapë gjenetika dhe njerëzit siç jeni ju, jeni njerëzit e mi, është fisnikëria shpirtërore e imja. Ju faleminderit për një çmim shumë të rëndësishëm që do ta mbaj në zemër gjithë jetën time”.
Ceremonia e dorëzimit të Çmimit Tradicional të “Art Club”-it është zhvilluar të shtunën, më 28 dhjetor 2024, në Librarinë “Ulqini”, me pjesëmarrjen e anëtarëve dhe miqve të Shoqatës “Art Club”.
i. k.
Fituesit e Çmimit
Çmimi i SHAI “Art Club” është themeluar në vitin 1991 si Shpërblim Vjetor, kurse që nga viti 2009 jepet për çdo tre vjet. Këtë çmim deri tani e kanë fituar: Rudi Goga, Dom Simon Filipaj, Basri Çapriqi, Asllan Bisha dhe redaksia e revistës “Fati”, Këshilli i Simpoziumit “Meshari i Gjon Buzukut – monument i kulturës shqiptare 1555-1995”, Ali Salaj, Nail Draga, Riza Rexha, Emin Halili, Cafo Boga, Bajram Rexha, Ruzhdi Ushaku, Gjelosh Gjokaj, Hajro Ulqinaku, Mehmet Kraja, Fiqiri Hasanaga (pas vdekjes), Simë Dobreci, Hajrullah Koliqi, Haxhi Shabani, Jusuf Lika dhe Zake Prelvukaj.
“Art Club”-i është subjekti i vetëm ndër shqiptarët në Mal të Zi, i cili ndan çmim për krijuesit shqiptarë.
Zake Prelvukaj
Zake Prelvukaj ka diplomuar në vitin 1990 për Pikturë në Fakultetin e Arteve të Bukura në Prishtinë, në klasën e prof. Nysret Salihamixhiqit. Më 1993 filloi punë si Docente për lëndën Pikturë monumentale. Në vitin 1997 ka magjistruar për Pikturë në klasën e prof. Muslim Mulliqit. Në vitin 2000 merr klasën e pikturës, në thirrje të Profesorit të asocuar. Në vitin 2010 avancohet në thirrje të Profesorit të rregullt për pikturë. Ka ligjëruar herë pas herë në universitete verore dhe në institucione tjera të kulturës në vend dhe jashtë vendit, ku vlen të përmendet ligjërata në Muzeun e Paqes në Diksmuide, para deputetëve dhe senatorëve evropianë dhe shumë mysafirëve të tjerë, me temën “Politika dhe arti”. Përveç krijimtarisë multidisiplinare artistike merret me kritikë arti dhe shkrime tjera, që janë botuar në disa gazeta dhe katalogë vendorë dhe rajonalë. Me ndërmarrjen artistike “Ballkani i Ri” (New Balkan) ka realizuar projekte artistike në vend dhe jashtë vendit, si murale, mozaikë, art publik, ekspozita, debate etj. Kuron ekspozita multimediale, sidomos me artistë të rinj. Në dy mandate ka qenë kryetare e Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ka qenë pjesë e këshillit inicues për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor të Kosovës, kurse tani është pjesë e këshillit inicues për themelimin e Muzeut të Dhunës Seksuale me seli në Prishtinë, në cilësinë e artistes.
Disa vepra të saj janë në pronësi të shumë personaliteteve të njohura botërore. Një vepër e saj është në pronësi të fondit të Muzeut Kombëtar të Grave në Art në Uashington. Që prej dhjetorit 2024 është anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Vepron dhe jeton në Prishtinë.