Mbi 9 milionë euro

Tuz – Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Tuzit në seancën e njëmbëdhjetë (të fundit për vitin 2024) miratuan me vota të shumicës qeverisëse buxhetin e Komunës së Tuzit për vitin 2025, me vlerë prej 9 milionë e 320 mijë e 548 euro.
Në fillim të kësaj seance, sekretari i Sekretariatit për Financa në Komunën e Tuzit, Driton Gjokaj prezantoi projekt-buxhetin, duke thënë se të ardhurat vetjake janë planifikuar në shumën prej 2 milionë e 448 mijë euro, nga të cilat, tatimi në patundshmëri në shumën prej 820 mijë euro.
“Mbitatimi në tatimin e të ardhurave të personave fizikë: 250 mijë euro; kompensim për rregullim dhe ndërtim të truallit ndërtimor: 235 mijë euro; kompensime të tjera për rrugë: 170 mijë euro; të ardhurat përkatëse: 1 milionë e 555 mijë euro. Kryesorja në këto të ardhura është tatimi mbi të ardhurat e personave fizikë: 1 milionë e 450 mijë euro; transfertat dhe donacionet 4 milionë 663 mijë 548 euro. Prej këtyre kemi donacionet rrjedhëse për projektet e BE-së 772 mijë euro dhe tranferta nga buxheti i shtetit 1 milion e 350 mijë euro”, u shpreh Gjokaj.
Ai shtoi se edhe nga Fondi Egalizues janë 2 milionë e 241 mijë 548 euro dhe mjetet e bartura nga viti i kaluar, të planifikuara në shumën 500 mijë euro.
Gjokaj vijoi më tej duke treguar shifrën për shpenzime, përkatësisht të ardhurat rrjedhëse, shpenzimet rrjedhëse dhe shlyerjen e borxhit.
Ai ndër të tjera, duke folur për shpenzimet kapitale të cilat janë planifikuar në shumën prej 2 milionë e 275 mijë euro, tha se me këtë shumë është planifikuar realizimi i disa projekteve kapitale në Komunën e Tuzit për vitin 2025.
Këshilltarët e shumicës dhe të opozitës kanë diskutuar për mbi tri orë për planifikimin e buxhetit në fjalë, duke vënë në dukje të mirat dhe të metat e tij.
Këshilltari Nikollë Camaj, duke përshëndetur shumën e buxhetit për vitin 2025, ndër të tjera apeloi që të investohet më shumë në kulturë dhe në institucionet kulturore, veçanërisht në mirëmbajtjen e institucioneve të kulturës.
“Mendoj se duhet investuar në Qendrën për Kulturë. Ju inkurajoj që këtë ta bëjmë me çdo kusht pasi ky objekt është plakur dhe ky objekt meriton. Pra, duhet të investohet në kulturë dhe në mirëmbajtje, natyrisht. Përshëndes edhe mjetet financiare të ndara për bujqësi, që këtë vit janë më të larta”, u shpreh mes tjerash Camaj.
Ai më tej duke u ndalur tek investimet në infrastrukturën rrugore, bëri thirrje që të bëhet kujdes në trashësinë e shtrimit të rrugëve “në mënyrë që të mos na humbin rrugët sikurse ndodh dhe në gjerësinë e rrugëve, sepse rrugët e ngushta nuk janë më diçka që na nevojiten, sidomos në këtë fluks komunikacioni që kemi në Malësi”.
“Dhe ajo që shikoj, që as sivjet nuk është paraparë askund, as qoftë në dokumentacion përgatitor, mendoj se Tuzi ka nevojë për rrugën anësore, bajpasin. Do të ishte mirë që ta projektoni se, siç e shikoni, ka ditë që më vështirë është të kalosh Tuzin sesa të ishte një qendër metropol”, u shpreh Camaj.
Ndërkaq, duke diskutuar për buxhetin në fjalë këshilltarët e opozitës kanë shprehur disa pakënaqësi për mënyrën se si është ndarë ky buxhet për vitin e ardhshëm, por edhe për disa projekte që sipas tyre nuk janë realizuar ende.
Këshilltari Halil Dukoviq vuri në dukje ndër të tjera mungesën e furnizimit me ujë të mbi 200 shtëpive (mbi dy muaj pa ujë) gjatë sezonit veror për banorët e fshatit Rakiq, ku temperaturat kanë arritur dyzet gradë Celsius.
“Furnizimi me ujë është obligim ligjor. Komuna ekziston që përmes shërbimeve të saj t’u shërbejë qytetarëve dhe njëri ndër to është edhe furnizimi me ujë. Pra, ne jemi të detyruar që të zgjidhim problemin e furnizimit me ujë. Ne jemi dëshmitarë se qytetarët kanë protestuar disa herë, pastaj kanë marrë një ujë me ngjyrë blu dhe sërish problemi nuk është zgjidhur”, u shpreh Dukoviq.
Në rend të ditës së kësaj seance kanë qenë gjithsej nëntëmbëdhjetë pika, të cilat në fund u miratuan.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat