Këto ditë ka dalë nga shtypi numri 23 i revistës për shkencë, kulturë dhe art “Lemba”, e cila botohet nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Ky numër është i pasur me artikuj shkencorë dhe materiale të tjera nga fusha të ndryshme të dijes.
Kështu në rubrikën “Studime” janë botuar artikujt “Peizazhi kulturor i trevës së Krajës” i Korab Krajës, “Veprimtaria e Dedë Gjo’ Lulit nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit deri te shpallja e Pavarësisë” i Mark Junçajt dhe “Ura mbi Bunë dhe rëndësia e saj për lidhjen e Ulqinit me Shkodrën” i Hajrudin S. Mujës.
Në rubrikën “Diaspora”, Sabina Osmanoviqi sjell artikullin “Diaspora shqiptare nga Mali i Zi si forcë ekonomike dhe politike”, ndërsa në rubrikën “Përvjetor” Ismet Kallaba artikullin “Revista ‘Fati’, pioniere e shtypit të pavarur shqiptar në Malin e Zi”.
Në rubrikën “Vështrim” është botuar artikulli i Gjekë Gjonajt “Kulla 200-vjeçare e Sokol Dedës Curanaj ruan vlera etnografike, historike dhe arkitekturore”.
Lexuesit mund të lexojnë intervistën me shkrimtarin Andrej Nikolaidis me titull “Kultura shqiptare nuk është e huaj për mua”, ndërsa në rubrikën “Kritikë letrare” janë botuar recensionet e Dragana Erjavshek “Një roman i domosdoshëm në gjuhën malazeze (Parathënie për romanin e Mehmet Krajës ‘Im atë donte Adolfin’)” dhe i Vlora Ademit “Një roman provokues dhe filozofik” mbi romanin e Primo Shllakut “Pesha e padurueshme e pafajësisë”.
Në rubrikën “Folkloristikë”, në artikullin “Dy libra me vlerë në pasurinë folklorike shqiptare”
studiuesi Agron Xhagolli bën një vështrim për librat “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” (Përmbledhje) I dhe “Baladat popullore te shqiptarët në Malin e Zi” (Studim monografik) II të Ismail Dodës.
Ky numër mbyllet me “Botimet e reja të ‘Art Club’-it”, ku janë prezantuar shkurtimisht librat që janë botuar nga kjo shoqatë në periudhën kohore ndërmjet dy numrave të revistës “Lemba”.
Botimin e këtij numri e ka mbështetur Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
i. k.