Skenat makabre të vitit 2022 janë përsëritur sërish në Cetinë, me pasoja edhe më të mëdha, në ditën e parë të vitit 2025, duke bërë që Mali i Zi të vishet në zi.
Dymbëdhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në pasditen e 1 janarit, ka bërë të ditur prokurorja Andrijana Nastiq pas ekspertizës.
I dyshuari për vrasje të shumëfishtë dhe plagosje, Aco Martinoviq, ka tentuar të bëjë vetëvrasje dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Vrasjet kanë ndodhur në pesë lokacione të ndryshme – në lokacionin e parë dhe të dytë janë vrarë katër persona, në të tretin dy fëmijë, ndërsa në lokacionin e katërt dhe të pestë nga një person.
Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme mesnatën e 1 janarit se motivi i vrasjeve është i panjohur, pasi në mesin e viktimave ishin miq dhe kumbara e Martinoviqit.
Ai është thënë t’i ketë vrarë katër personat e parë në një lokal, pas një zënke që i kishte paraprirë një shoqërimi disaorësh.
Katër persona janë dërguar në Qendrën Klinike të Podgoricës, sipas drejtorit të këtij institucioni, Aleksandar Radoviq.
Ai ka thënë se dy burra dhe një grua janë në gjendje stabile, ndërsa pacienti i katërt është në gjendje shumë të rëndë, dhe është operuar të enjten në mëngjes.
Kryeministri malazez, Millojko Spajiq e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme.
Ai ka paralajmëruar ashpërsimin e kritereve për mbajtjen e armëve.
“Do të shqyrtojmë ndalimin e plotë të mbajtjes së armëve”, ka thënë Spajiq.
Martinoviq ishte dënuar me një vit burgim me kusht në vitin 2005 për sjellje jo të mirë, por nuk është konsideruar si person me interes për sigurinë, ka thënë ministri Sharanoviq.
Ai ka treguar se në vitin 2022 tek ai janë gjetur armë dhe eksploziv, për çka është dënuar në shkallën e parë me tre muaj burgim.
Për shkak të këtij rasti, Qeveria e Malit të Zi i ka shpallur tri ditë zie, më 2, 3 dhe 4 janar.
Koncertet për shënimin e Vitit të Ri janë anuluar në Podgoricë dhe në disa qytete bregdetare të Malit të Zi.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka thënë se është i tronditur nga tragjedia në Cetinë dhe lutet që të plagosurit të shërohen shpejt.
Në shenjë solidarizimi me viktimat e tragjedisë në Cetinë dhe familjet e tyre, në qytete të ndryshme të Malit të Zi qytetarët kanë ndezur qirinj.
Ngjarja në Cetinë ka nxitur po ashtu protesta që janë organizuar nga studentët. Një prej kërkesave të tyre kryesore është dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Danillo Sharanoviq, dhe e nënkryetarit të Qeverisë për siguri, mbrojtje, luftë kundër krimit dhe politikë të brendshme, Mr. Aleksa Beçiq.
Ky është rasti i dytë i vrasjes masive në Cetinë në dy vitet e fundit.
Në gusht të vitit 2022, Vuk Boriloviq pati vrarë 10 persona dhe plagosur gjashtë të tjerë, dhe më pas është vrarë.
(Kohapress/REL)