Gjashtë komunat bregdetare të Malit të Zi kanë nënshkruar iniciativën e përbashkët për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi të mirat detare, Ligjin mbi planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve dhe Ligjin për portet.
Iniciativën e kanë firmosur kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, kryetari i Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq, kryetari i Komunës së Tivatit, Zhelko Komnenoviq, kryetari i Komunës së Herceg Novit, Stevan Katiq, kryetarja e Kuvendit të Komunës së Kotorrit, Maja Mrshula dhe nënkryetari i Komunës së Budvës, Nikolla Jovanoviq.
Ata e kanë cilësuar këtë si një ngjarje të madhe dhe hap drejt decentralizimit të menaxhimit të të mirave detare dhe kthim të kompetencave burimore komunave.
Në iniciativë theksohet se deri në vitin 1992, të mirat detare, si pjesa më me vlerë e territorit të Malit të Zi, janë administruar nga komunat.
“Pas vitit 1992, këto çështje janë centralizuar në tërësi me themelimin e Ndërmarrjes Publike ‘Të Mirat Detare’, e cila në emër të shtetit i mori kompetencat për menaxhimin e bregdetit”, duke shtuar se që nga gushti i vitit 2013 NP “Të Mirat Detare” funksionon në kundërshtim me Ligjin mbi shoqëritë tregtare, por edhe Ligjin për avancimin e ambientit afarist.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka theksuar se aprovimi i ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit mbi të mirat detare dhe i ligjeve të tjera është në interesin publik të qytetarëve të Ulqinit dhe komunave të tjera bregdetare, duke u nisur nga legjitimiteti i plotë që kjo zonë atraktive të menaxhohet nga komunat bregdetare.
“Ligji të cilin e hartoi grupi i punës parasheh që kompetencat e menaxhimit, administrimit, planifikimit dhe investimit u takojnë komunave përkatëse, që kontribuon direkt në decentralizimin e pushtetit qendror. Ky ligj parasheh që brenda një viti të merren hapa konkrete për zbatimin e këtij ligji, ndërsa NP ‘Të Mirat Detare’ pritet që të transformohet në një agjenci, financimi i së cilës sigurohet 10 për qind nga të ardhurat totale”, ka shkruar ai në një postim në rrjetin shoqëror Facebook.
Në mesin e shumë arsyeve për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi të mirat detare, krerët e komunave bregdetare kanë potencuar faktin se viteve të fundit vetëm një e treta e shumës së vjelur nga NP “Të Mirat Detare” është investuar në infrastrukturë në këto komuna.
Iniciativa e komunave bregdetare pritet të shqyrtohet në Kuvendin e Malit të Zi.
(Kohapress)
