Ulqin – Komuna e Ulqinit do të përfitojë 292 698 euro nga afro 2.25 milionë euro, sa është shuma e përgjithshme e projektit GIFTSnet – Rrjeti për zgjidhje të turizmit të fortifikuar të gjelbër dhe gjithëpërfshirës, në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar Interreg IPA Kroaci – Bosnje dhe Hercegovinë – Mali i Zi 2021-2027.
Komuna e Ulqinit është njëra prej gjashtë partnerëve të këtij projekti, pjesë e të cilit janë edhe Institucioni Publik “Kështjella e Kulturës” – Shibenik, si partner udhëheqës i projektit, dhe Qyteti i Karllovacit nga Kroacia, pastaj Institucioni Publik Muzeu i Hercegovinës dhe Qyteti i Banja Llukës nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Komuna e Tivarit nga Mali i Zi.
Projekti është prezantuar të martën e kaluar (10 dhjetor 2024) në një konferencë për shtyp, të mbajtur në Pallatin Venezia në Kalanë e Ulqinit, me pjesëmarrjen e të gjithë partnerëve të projektit.
Qëllimi i projektit është të kontribuojë në përmirësimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të turizmit kulturor në zonën e programit duke zbatuar investime miqësore me mjedisin dhe të qëndrueshme në shtatë lokacione turistike kulturore në Shibenik, Karllovac, Banja Llukë, Trebinjë, Tivar dhe Ulqin, duke zhvilluar ofertat turistike shoqërore gjithëpërfshirëse në këto lokacione, si dhe duke ndërtuar kapacitetet e aktorëve ndërkufitarë për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit kulturor në zonën e programit.
“Projekti do të inkurajojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të turizmit kulturor përmes investimeve të gjelbra në Shibenik, Karllovac, Banja Llukë, Trebinjë, Tivar dhe Ulqin, dhe krijimin e një rrjeti ndërkufitar të aktorëve të turizmit kulturor. Nis edhe iniciativa Nata e Kështjellave ‘Goes Green’, e cila si një ngjarje kulturore ndërkombëtare, do të bëhet një mjet për promovimin e standardeve të gjelbra dhe ndërgjegjësimin e publikut për parimet e zhvillimit të qëndrueshëm”, ka thënë Kata Zhganjer nga “Kështjella e Kulturës” – Shibenik, drejtuese e projektit GIFTSnet.
Ndërsa nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Petar Deliq ka thënë se përmes këtij projekti po krijojnë një bashkëpunim të rëndësishëm ndërkufitar.
“Ky projekt sjell shkëmbim të përvojave dhe njohurive ndërmjet partnerëve nga shtete dhe institucione të ndryshme dhe jam veçanërisht i kënaqur që do të kontribuojë në përmirësimin e ofertës kulturore dhe turistike në komunën tonë”, ka theksuar ai.
Në komunën e Ulqinit është zgjedhur qyteti i vjetër i Shasit, ku do të investohen 170 mijë euro për rregullimin e shtigjeve, vendosjen e ulëseve dhe koshave të plehrave etj. Po ashtu është planifikuar që të organizohen punëtori me fëmijë, ture të specializuara për grupet e margjinalizuara dhe vizita të gazetarëve. Pjesë e rëndësishme e këtij projekti do të jetë edhe Nata e Kështjellave “Goes Green” për vitet 2025 dhe 2026, pasi do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm dhe do të kontribuojë në ruajtjen e Shasit, këtij lokaliteti të rëndësishëm arkeologjik.
Projekti GIFTSnet është përzgjedhur në mesin e pesë projekteve fituese nga 56 projekte sa kanë aplikuar në fushën e turizmit dhe kulturës, si një prej objektivave specifike të thirrjes së parë të Programit Interreg IPA. Realizimi i tij ka filluar zyrtarisht më 15 shtator 2024 dhe do të zgjasë deri më 14 mars 2027. Gjatë 30 muajve të kohëzgjatjes së projektit, do të organizohen aktivitete të shumta, me theks të posaçëm në bashkëpunimin ndërkufitar në fushën e turizmit të qëndrueshëm kulturor dhe ruajtjen e trashëgimisë tradicionale.
Nga shuma e përgjithshme e projektit prej afro 2.25 milionë euro, 1.9 milion apo 85 për qind e shumës financohen nga Bashkimi Evropian.
Krahas konferencës për media ku është bërë prezantimi i projektit, partnerët kanë vizituar lokalitetin arkeologjik në Shas, ku do të realizohen aktivitetet e planifikuara me projekt për komunën e Ulqinit.
(Kohapress)