Podgoricë – Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, dr. Zhaklina Peto dhe atasheu ushtarak në Mal të Zi, kolonel Beqir Tafili, u takuan me ministrin e mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapoviq në kuadër të vizitës së tij inauguruese në Ministrinë e Mbrojtjes.
Nga Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi thuhet se z. Krapoviq i ka uruar sukses kolonel Tafilit në kryerjen e detyrës si atashe ushtarak i akredituar në Mal të Zi, me besimin se gjatë mandatit të tij, bashkëpunimi shumë i mirë do të forcohet më tej dhe do të sigurojë që Mali i Zi dhe Shqipëria të vazhdojnë të kontribuojnë aktivisht në stabilitetin e rajonit tonë.
Ai më tej, siç thuhet, konstatoi se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes janë intensive dhe se bashkëpunimi realizohet me sukses përmes realizimit të aktiviteteve të shumta të përbashkëta.
“Ai vuri në dukje se Mali i Zi vlerëson mbështetjen që Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë u japin pjesëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi gjatë përgatitjeve dhe stërvitjeve të paravendosjes për misionet dhe operacionet ndërkombëtare, të cilat realizohen në poligonet ushtarake në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu theksoi rëndësinë e kontributit të përbashkët në sistemin e sigurisë kolektive dhe shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e përbashkët të planifikuar në stërvitjen detare të NATO-s “Sea Guardian” thuhet në njoftimin e Ambasadës së Shqipërisë në Mal të Zi.
Ndërkaq, ministri mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq e ka njohur kolonel Tafilin me prioritetet e politikës së jashtme të Qeverisë së Malit të Zi, ndër të cilat fokus i veçantë është integrimi evropian dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.
Ai siç theksohet, e ka informuar bashkëbiseduesin se, Mali i Zi ka ndarë 2,02 për qind të PBB-së për buxhetin e mbrojtjes, prej të cilave mbi 35 për qind është dedikuar për modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Nga ana tjetër, Kolonel Tafili është shprehur i kënaqur që është akredituar në Mal të Zi duke theksuar se ai do të angazhohet që bashkëpunimi mbrojtës mes dy vendeve të përmirësohet më tej gjatë mandatit të tij.
Ndërkohë, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, dr. Zhaklina Peto ka theksuar rëndësinë e përmirësimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, si aleatë brenda NATO-s, si dhe theksoi orientimin e përbashkët evropian, “me besimin se duke punuar së bashku për promovimin e vlerave demokratike, mund të kontribuojmë së bashku në afirmimin e perspektivës evropiane dhe euroatlantike të të gjithë rajonit”.
Me kolonel Tafilin, në takime të ndara, siç bëhet e ditur, ata biseduan gjithashtu edhe ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së Përgjithshme të Drejtorisë për Politikën e Mbrojtjes, Mr. Radmilla Peroviq, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, brigadier gjeneral Zoran Llazareviq.
t. u.