Tuz – Në Ditën Botërore të Fëmijëve, (20 nëntor 2024) OJQ “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi) organizoi aktivitetin “Fëmija thërret” i cili kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe përshpejtimit të progresit drejt realizimit të të drejtave të fëmijëve.
Në prani të shumë fëmijëve dhe prindërve në sallën e QKI-së “Malësia” u shfaq një program i larmishëm argëtues e edukativ, ku secili fëmijë shprehu nga një të drejtë që e ka ose që duhet ta ketë, ndërkohë që programin në fjalë e udhëhoqën nxënësit e Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz dhe të Medresesë “Mehmet Fatih”, ndërsa morën pjesë edhe nxënës të Shkollës së Muzikës “Vasa Paviq” nga Podgorica dhe të Klubit të Kërcimit “Tip Toe” nga Tuzi.
Drejtoresha ekzekutive e Organizatës Joqeveritare OJQ “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi), Sabra Deceviq, në një prononcim të shkurtër për gazetën “Koha javore” shprehet se shënimi i kësaj date synon që, të gjithë si shoqëri, duhet të luajmë një rol të rëndësishëm në përshpejtimin e progresit dhe arritjes së rezultateve konkrete për të përmirësuar gjendjen e të drejtave të fëmijëve, ku në shkallë globale ato janë të mohuara
20 Nëntori është një datë e rëndësishme për të drejtat e fëmijëve pasi që, në vitin 1959 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Fëmijëve. Gjithashtu më 20 nëntor të vitit 1989, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Konventën për të Drejtat e Fëmijëve (30 vjetori i Deklaratës së saj për të Drejtat e Fëmijëve).
Në Tuz ky është manifestimi i shtatë të cilën kjo shoqatë e organizon në bashkëpunim me partnerët e tjerë, si institucione, shkolla, klube, etj.
t. u.