Vë theksin te reformat

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Alexandar Kasanof vizitoi të martën Podgoricën, ku zhvilloi takime me zyrtarët më të lartë malazias, mes tyre presidentin Jakov Milatoviq.
Në një njoftim të zyrës së presidentit të Mali të Zi thuhej se zotëri Kasanof tha në takim se “Uashingtoni mbështet reformat që ka ndërmarrë Mali i Zi në fushën e sundimit të ligjit si dhe të tjera reforma të rëndësishme për integrimin evropian të vendit në Bashkimin Evropian”.
“SHBA do të vazhdojë t’u ofrojë mbështetje të plotë në këtë drejtim. Ne duam që anëtari i ardhshëm i BE-së të jetë Mali i Zi dhe kjo është arsyeja pse është thelbësore që zbatimi i reformave të mbetet përparësi”, shtoi më tej zyrtari amerikan.
Nga ana e tij presidenti malazias Jakov Milatoviq tha se një rëndësi të veçantë merr fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbajnë fokusin e tyre në rajon dhe të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm të ardhmen evropiane të Malit të Zi.
“Jam i bindur se në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi pasur deri më tani, do të vazhdojmë të forcojmë më tej bashkëpunimin politik dhe ekonomik. Vendi ynë dëshiron të bëhet partneri më i rëndësishëm i SHBA-së në rajon”, tha zotëri Milatoviq.
Zyrtari amerikan zhvilloi një takim edhe me kryeprokurorin e posaçëm të Malit të Zi, Vladimir Novoviq. Në takim u fol rreth përpjekjeve për rezultate të qëndrueshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend.
“Për arritjen e sukseseve në këtë drejtim, duhet përpjekje e vazhdueshme e të gjitha institucioneve gjyqësore si dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas deklaratës së prokurorisë, zotëri Kasanof konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për përpjekjet e Prokurorisë së Posaçme e strukturave të tjera në zbatimin e ligjit si dhe mbrojtjen e interesit publik.
Ai tha gjithashtu se Uashingtoni pret nga këto institucione që të “rrisin efikasitetin e përpunimit dhe gjykimit të vepra penale të rëndë e krimit të organizuar, veçanërisht ato që lidhen me pastrimin e parave”.
Mali i Zi pritet të trajtojë problemin e proceseve gjyqësore të gjata e vonesave të shpeshta në dhënien e gjykimeve në rastet që lidhen me krimin e organizuar.
Vizita e zyrtarit amerikan vjen pas më pak se një muaj pasi Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan një memorandum në Uashington për bashkëpunim strategjik në fushën e ekonomisë, qëllimi i të cilit është forcimi i partneritetit ekonomik dhe investimeve mes të dy vendeve.

A.S.

Të fundit

më të lexuarat