Shega është pemë gjetherënëse, frutat e së cilës kanë një lëng të ëmbël dhe me aromë të veçantë. Rritet deri në 5m lartësi dhe gjerësi të kurorës që shkon deri në 3m. Është frutë e stinës dhe ka vlera të larta ushqyese. Në lashtësi konsiderohej si fruta e trashëgimisë dhe jetëgjatësisë.
Shega konsiderohej si dhuratë që i ka ofruar natyra banorëve të Mesdheut, trajtohej dhe kultivohej me shumë dashuri, duke ia ditur vlerat shëruese që përmban kjo frutë.
Ulqini me rrethinë paraqet karakteristika klimatike dhe tokësore mjaft të favorshme për kultivimin e shumë bimëve, agrumeve e posaçërisht të shegëve. Shega është frutë me veti të larta antioksiduese, përmban vitaminat A dhe C. Konsumimi i një shege në ditë plotëson rreth 50% të nevojave tona ditore për vitaminën C, është ilaç i mirë kundër gripit, kundër anemisë, mbështetës energjik i mirë i organizmit kundër ndikimeve sezonale, rekomandohet edhe për rastet e personave diabetikë. Ajo ndikon në uljen e kolesterolit, hipertensionit dhe është ilaç i mirë për zemër.
Shega, lëngu i shegës, uthulla e shegës, ëmbëlsira tradicionale e Ulqinit – lule shega, ulliri, vaji i ullirit, pasta nga fruta e ullirit, fiku, buka nga fiku, mandarina, lëngu nga mandarinat si produkte vendore të vlerësohen pikësëpari nga vetë ne si prodhues dhe konsumatorë. T’u ofrojmë sa më shumë prodhime vendore bio mysafirëve, të rrisim ofertën turistike të Ulqinit me të mirat që na ka ofruar natyra!
Lëngu i shegës së shtrydhur, me ngjyrën e kuqe karakteristike, është një pije magjepsëse dhe renditet ndër lëngjet më të preferuara në botë. Mjerisht, në restorantet tona nuk mund të gjesh lëng shege të freskët që t’u ofrohet klientëve.
Këto ditë shumë prodhues po përballen me vështirësitë e vjeljes së shegës për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, por edhe të shitjes së saj sepse nuk ka blerës. Po mungon organizimi nga ana e strukturave përgjegjëse. Për këtë arsye nevojitet të krijohen pika grumbullimi, përpunimi, shpërndarjeje të prodhimeve vendore. Prodhuesit t’i ndihmohet në rritjen e plantacioneve me çdo lloj agrumi, të rriten rendimentet. Ulqini si vend turistik të njihet me prodhimin e agrumeve, të shërbehen këto agrume në lokale, hotele dhe pika turistike të qytetit tonë.
Shega, lëngu i shegës, uthulla e shegës, ëmbëlsira tradicionale e Ulqinit – lule shega, ulliri, vaji i ullirit, pasta nga fruta e ullirit, fiku, buka nga fiku, mandarina, lëngu nga mandarinat si produkte vendore të vlerësohen pikësëpari nga vetë ne si prodhues dhe konsumatorë. T’u ofrojmë sa më shumë prodhime vendore bio mysafirëve, të rrisim ofertën turistike të Ulqinit me të mirat që na ka ofruar natyra.
Duke marrë parasysh faktin se banorët e Ulqinit, Katërkollës me rrethinë, që në lashtësi e kanë kultivuar këtë bimë karakteristike, shega nuk duhet të mungojë këto ditë vjeshte në tryezat tona.
Për fund, edhe disa rekomandime qëllimmira: Katërkolla të vazhdojë të organizojë manifestimin “Dita e Shegës”, të promovojë vlerat dhe resurset e trashëgimisë kulturore, natyrore dhe produkteve të zonës. Përfaqësues i këtyre vlerave për Anën e Malit është shega, kjo frutë e bekuar që nuk guxon të mungojë në bahçet dhe tryezat tona.
Lumnije Bisha