Në Krajë u mbajt manifestimi bujqësor, turistik dhe kulturor “Festa e Gështenjave”

Ali Gjeçbritaj

Manifestimi tradicional “Festa e gështenjave” u mbajt në Ostros me 9 – 10 nëntor 2024. Është ky manifestimi i gjashtëmbëdhjetë me radhë që organizohet këtu nga Bashkësia vendore Ostros. Mbajtjen e manifestimit të sivjetmë si edhe viteve të fundit e mbështeti financiarisht Komuna e Tivarit dhe Organizata Turistike e Komunës së Tivarit. Vizitorët e shumtë nga Tivari, Ulqini, Podgorica dhe nga viset tjera të Malit të Zi si dhe nga rajoni, Shqipëria e Kosova patën rastin e mirë të shijojnë shijen e nektarit të prodhimeve bujqësore të Krajës dhe jo vetëm, të argëtohen dhe të pushojnë për pak orë në KrAjë, nënë Ruminë legjendare, pranë liqenit të kaltër, t’i mbushin mushkëritë me ajrin e bjeshkës… Dita e bukur, ambienti i rregulluar për mrekulli për ekspozimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale, pastaj ambienti ku u mbajt programi kulturor si dhe organizimi i shërbimit në tërësi është shembulli më i mirë si duhet të organizohen manifestime të këtilla. Për këtë manifestuesit u bindën vetë dhe shprehen kënaqësinë e tyre. Në banakët e shumtë prodhuesit i kishin mbushur me prodhime vendore dhe jo vetëm. Edhe pse këtë vjet prodhimi i frytit të gështenjës nuk ishte i mbarë në banakët e manifestimit ata gjendeshin aty – këtu, por organizatori siguroi sasinë e mjaftueshme për t’i qerasur mysafirët dhe manifestuesit, në mënyrë që secili të ketë mundësi të shijojë sado pak shijen e këtij fryti të rrallë. Përndryshe në banakë përveç gështenjave ishin ekspozuar edhe prodhime të shumta bujqësore vendore si qepë të kuqe, hudhra, molla japani, ullinj, vaj ulliri, mjaltë, djathë, peshk nga liqeni Shkodrës (krap dhe gjuhca-të freskëta dhe të terura/thara) gatime të llojllojshme vendore si dhe shumë prodhime tjera si raki rrushi, verë etj.. Në banakë të veçantë gjendeshin edhe prodhime artizane të Krajës dhe rajonit sidomos artizane kombëtare. Një banak të posaçëm kishin ekspozuar prodhimet dhe gatimet e veta edhe nxënësit e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu” në Ostros.
Manifestimi nisi me programin e larmishëm muzikor kulturo-zbavitës në të cilin morën pjesë grupi muzikor i qendrës kulturore ‘Pjetër Gaci’ nga Shkodra, vogëlushi Arion Gjeçbritaj dhe këngëtarët e mirënjohur nga Kosova Remzie e Naxhat Osmani.
Në fillim manifestuesit i përshëndeti kryetari i Bashkësisë Vendore Beqir Berjasheviq i cili në fjalën e tij mes tjerash tha: “Kam kënaqësi të veçantë si njëri ndër të barabartët në Këshillin e Bashkësisë Vendore që më mbështetjen e pushtetit vendor-Komunës së Tivarit dhe me ndihmën e parezervë të Organizatës Turistike të Tivarit e organizuam këtë manifestim bujqësor, turistik e kulturor. Dita e bukur, banakët e mbushur me prodhime bujqësore e blegtorale po na joshin të gjithëve . S’do mend se e gjithë kjo e arsyeton mbajtjen e një manifestimi të këtillë. Ky është manifestimi i gjashtëmbëdhjetë me radhë, me shpresë se rrugëtimi i tij do të vazhdojë edhe në të ardhmen.”
Manifestimin e hapi kryetari i Komunës së Tivarit Dushan Raiçeviq: “Festa e gështenjave këtë vit organizohet në kuadër të manifestimin të 24 Nëntorit – Ditës së Komunës. Është ky përvjetori i tetëdhjetë i çlirimit të Tivarit nga fashizmi”, tha ndër të tjera ai në fjalën e tij para manifestuesve.
Në pjesën kulturore u shpallën edhe fituesit të konkursit letrar dhe artistik. Juria pesëanëtarëshe me kohë dhe brenda afatit ka vlerësuar krijimet më të arrira letrare dhe në artin figurativ dhe ka ndarë tre çmime për krijimet më të mira.
Krijimi më i mirë letrar u shpall proza më shifrën 1407, “Festa e qytezës së vdekur” (çmimi i parë)
Me çmimin e dytë u shpërblye poezia me shifër “Mërgimtari” , “Poezia : “Ikonë e shenjtë magjike”
Ndërsa çmimi i tretë iu nda poezisë “Kujtim nën hijen e Krajës” me shifër 01122010
Juria çmimin e parë për pikturë ia ndau punimit me shifër 152AU2024, çmimin e dytë piktura me shifrën 201201, ndërsa çmimin e tretë piktura me shifër 17022011.
Autorët e duhet të lajmërohen në zyrën e Bashkësisë Vendore për t’u identifikuar dhe për të marrë shpërblimin.

Të fundit

më të lexuarat