Tuz – Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, në kuadër të 80- vjetorit të çlirimit të Shqipërisë organizoi të mërkurën (6 nëntor 2024) në Tuz , një aktivitet të larmishëm ku fillimisht u shfaq filmi artistik, “Dimri i Madh” prodhim i Kinostudios së Shqipërisë e cila ka qenë një ndër institucionet e para të filmit, për të vazhduar më pas me koncertin e bandës frymore “Big Band” të Forcave të Ushtrisë Shqiptare, me ekspozimin e një muzeu lëvizës me artefakte nga Lufta e Dytë Botërore, dhe me shfaqjen e ekspozitës me fotografi historike të Luftës antifashiste Nacional Çlirimtare.
E pranishme në këtë aktivitet, mes përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe të publikut, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, duke prezantuar në QKI “Malësia” shfaqjen e filmit “Dimri i madh” (një kryevepër e kohës), u shpreh se, filmi me bazë historike është një vlerë e shkruar që të mos harrohet historia.
“Në mënyrë që ju të kujtoni dhe të mos harroni se, çdo gjë në këtë jetë nuk dhurohet por fitohet, ashtu si dhe liria e vendit është fituar me një dëshirë shumë të madhe për të pasur një jetë më të mirë” u shpreh znj. Peto.
Ajo më tutje duke folur për prezantimin e muzeut me artefakte nga Lufta e Dytë Botërore, tha se fotografitë e paraqitura, përmbajnë disa dokumente të Luftës antifashiste Nacional Çlirimtare dhe heronj të Shqipërisë.
“Në mënyrë që të keni mundësi të rikujtoni atë çfarë keni mësuar dhe lexuar në shkolla” theksoi ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto.
Ndërkohë, duke folur për koncertin e shfaqur në qendër të Tuzit, znj. Peto tha se koncerti ka një përmbajtje paksa moderne, “pavarësisht se ne kujtojmë sot historinë e së shkuarës”.
“Unë falënderoj të gjitha ata që bashkëpunuan për organizimin e këtij aktiviteti” përfundoi ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto.
Ndërkaq, aktiviteti në fjalë vazhdoi një ditë pas, në Plavë dhe Guci, ndërsa dy ditë më vonë, më 8 nëntor 2024 u organizua edhe në qytetin e Ulqinit.
t. u.