Kjo temë me lindi gjersa po mendoja se çfarë teme mund t’iu jepja nxënësve të mi si temë hartimi dhe mendoja që kjo do ishte një temë që do të zgjonte interesimin e tyre, pasi që vet interneti është pjesë e pandashme e jetës së sotme. Në botën e sotme, interneti ka marrë një rol të pazëvendësueshëm ,ai është bërë burimi i informacionit, mjet komunikimi, edukim, argëtim dhe madje përdoret edhe për punë. Nëse do të imagjinonim një jetë pa internet, shumë aspekte të jetës sot do të ndryshonin.
Në një botë pa internet, marrëdhëniet ndërnjerëzore do të ishin më të thella dhe më të sinqerta. Sot, rrjetet sociale dhe mesazhet e shpejta kanë zëvendësuar bisedat e drejtpërdrejta, ndërsa shumë njerëz ndihen të lidhur virtualisht, por të shkëputur e të zbrazët emocionalisht. Pa internet, ne do të kalonin më shumë kohë me njëri-tjetrin . Do të ishin më të pranishëm në momentin e tashmes dhe do të kishin më shumë mundësi për të krijuar kujtime të paharrueshme , jo përmes fotove apo videove të postuara online. Meqenëse interneti është bërë një burim i pafund informacioni dhe njohurish një jetë pa të do të nënkuptonte se studentët dhe studiuesit do të duheshin të mbështeteshin më shumë te librat dhe biblioteka. Kjo mund të tingëllojë si një pengesë, në të vërtetë do të ofronte një mundësi për të zhvilluar më mirë aftësitë e kërkimit dhe leximit. Do të vlerësonin më shumë dijen që do të fitonin përmes përvojës dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me mësues, profesorë dhe të tjerë ekspertë, duke përfituar një marrëdhënie më personale në procesin e të mësuarit. Edhe aspekti i ekonomisë do të ndryshonte, e cila është ndikuar thellësisht nga interneti. Pa të, blerjet online, bankat online dhe tregjet virtuale nuk do të ekzistonin. Konsumatorët do të shkonin fizikisht në dyqane për të bërë blerjet e tyre dhe kjo do të ndikonte edhe në mënyrën se si bizneset do të operonin, mbase do të kishim edhe më shumë vende pune. Për shumë njerëz, interneti është bërë burim kryesor argëtimi përmes rrjeteve sociale, platformave të transmetimit dhe video-lojërave online. Një jetë pa internet do të nënkuptonte rikthim te aktivitetet tradicionale të argëtimit, si leximi i librave, pikturimi, sportet dhe lojërat me miqtë. Kjo do të kontribuonte në një jetë më aktive fizikisht dhe më të ekuilibruar, duke përmirësuar shëndetin mendor dhe fizik. Një botë pa internet do të nxiste gjithashtu zhvillimin e talenteve personale dhe ndjekjen e hobive të ndryshme, duke i dhënë secilit individ më shumë kohë për të eksploruar potencialin e tij të plotë.
Një jetë pa internet do të ishte një jetë më e thjeshtë, më e ngadaltë dhe më e qetë, por jo më pak e pasur. Ndonëse do të humbnim përparësitë e komunikimit dhe informacionit të menjëhershëm, do të fitonim më shumë kohë për të ndërtuar marrëdhënie më të thella, për të zhvilluar aftësitë tona personale dhe për të vlerësuar më shumë momentet e jetës. Në fund të fundit, një botë pa internet nuk është as më e mirë dhe as më e keqe, është thjesht një realitet tjetër që ofron mundësi të ndryshme për të jetuar dhe për të perceptuar botën rreth nesh dhe secili nga ne ka zgjedhjen e të jetuarit me të apo pa të.
Donika Lulgjuraj