Në sallën e mbushur plot të Shkollës së Muzikës në Ulqin, të premten është mbajtur ligjërata edukative për diabetin, e organizuar nga Shoqata e Diabetikëve “Rrethi i Kaltër” Ulqin. Me ndihmën financiare të Komunës së Ulqinit, të pranishmit patën mundësi të dëgjojnë këshilla të vlefshme dhe të shkëmbejnë përvoja.
Dr. Rajmond Gjonaj trajtoi ndër të tjera problemet me të cilat përballen diabetikët në përditshmëri, ruajtjen e vlerave të sheqerit në gjak brenda vlerave referente, ndikimin e dietës dhe aktivitetit fizik në nivelet e sheqerit në gjak, si dhe komplikimet akute dhe kronike të diabetit, si të njohim në kohë simptomat e tyre, si të parandalojmë dhe çfarë të bëjmë në rast të shfaqjes së tyre.
Kryetarja e Shoqatës së Diabetikëve “Rrethi i Kaltër”, Ulqin Veneranda Gjonaj falënderoi Komunën e Ulqinit, drejtoreshën e Shkollës së Muzikës, Fatime Buzuku, humanitarët dhe donatorët e mëdhenj, Dina dhe Ahmet Kurmemaj nga SHBA-ja, Fondin shqiptaro-amerikan “Trojet tona” dhe infermieren Sultana Gjekoviq . “Ky është vetëm një në vazhdën e projekteve të shoqatës sonë, sepse besojmë se është më mirë të veprohet në mënyrë parandaluese sesa të trajtohen pasojat e diabetit te pacientët”, theksoi Gjonaj.
Me këtë rast, personave me diabet u është matur niveli i sheqerit në gjak, janë ndarë aparate për matjen e sheqerit në gjak, shirita, lançeta, vitamina dhe materiale shëndetësore.
Po ashtu, Shoqata e Diabetikëve “Rrethi i Kaltër ”, i ka ndarë një Mirënjohje bamirësve Dina dhe Ahmet Kurmemaj, për donacione.
Përfaqësuesja e Fondit shqiptaro-amerikan “Trojet tona”, Vjollca Lika Çobaj, tha se familja Kurmemaj dhe fondi “Trojet tona” dhuruan dy herë donacione të vlefshme për blerjen e censorëve për të rinjtë me diabet të tipit 1 nga Ulqini. Ajo shtoi se do të përpiqen të vazhdojnë bamirësinë e familjes Kurmemaj dhe të ndihmojnë jo vetëm diabetikët më të rinj, por edhe më të moshuarit në komunën tonë.
(Gj.Gj)