Tuz – Institucioni Publik Parashkollor “Nënë Tereza” në Tuz, ka shënuar të martën më 21 tetor 2024 përvjetorin e tij, përkatësisht dyvjetorin e mëvetësimit së tij.
Përgjatë dy viteve punë të këtij institucioni edukativo-arsimor, interesimi i vogëlushëve nuk ka munguar, dhe kështu këtë vit në këtë institucion edukohen plot 397 fëmijë, nga mosha një deri në moshën parashkollore.
Drejtori i këtij institucioni parashkollor, David Junçaj ka theksuar se, që nga dita e parë kur i ka hapur dyert, kopshti i tyre ka qenë një vend i ngrohtë, plot dashuri dhe mësim.
“Kemi parë fëmijët tonë të rriten, të mësojnë, të argëtohen dhe të bëjnë miqësi të reja. Çdo ditë është një aventurë e re, me lojëra, aktivitete dhe mësime që i ndihmojnë fëmijët të zbulojnë botën rreth tyre” është shprehur Junçaj
Ai ka thënë se i gëzon fakti që numri i fëmijëve që ndjekin edukimin në kopshtin tonë është çdo vit në rritje.
“Këtu vlen të përmendim edhe njësinë edukative në Dinoshë e cila është pjesë e jona dhe deri më tani procesi mësimor vijon sipas planprogramit. E thënë me krenari dhe bindje të plotë se për edukimin e fëmijëve kujdesen një staf i gjërë që përbëhet nga edukatorët, motrat medicinale, psikolog, logoped dhe asistentët në mësim, të cilët punojnë me përkushtim çdo ditë për të siguruar një ambient të sigurt dhe frymëzues për fëmijët. Pasioni dhe përkushtimi i tyre sjellin ngjyrat në jetën e fëmijëve tanë” thekson Junçaj.
Ndërkohë, duke folur për sfidat përgjatë këtyre dy viteve, ai ka thënë se pavarësisht përballjes me shumë sfida, ata i kanë tejkaluar ato, falë bashkëpunimit me prindërit, me institucionet përkatëse si, Ministrinë e Arsimit, Entin për Shkollim, Komunën e Tuzit, por edhe me shumë donatorë.
Ndërkohë, drejtori i këtij institucioni, David Junçaj bëri të ditur se, pikërisht në shënimin e Ditës së Kopështit, botuan numrin e parë të revistës së tyre, “Dielli”.
Kjo revistë, sipas tij, pasqyron aventurat e tyre, ëndrrat dhe krijimet që kanë ndarë së bashku në këtë kopësht.
“Çdo faqe është mbushur me ngjarje të bukura të vogëlushëve tonë dhe me aktivitete që kemi bërë me ta. Këtu, ne festojmë gjithçka që kemi mësuar nga njëri-tjetri, nga arti dhe muzika e deri tek shkenca dhe natyra. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata që punuan për të dalë në dritë revista jonë “Dielli”, e cila shpresojmë se do të shkëlqejë dhe ndriçojë gjatë, dhe me të do të vazhdojmë të shënojmë kujtime të paharrueshme së bashku” tha Junçaj.
Në të njëjtën kohë, ai ka potencuar se këtë vit, institucioni që ai drejton, është pjesë e disa projekteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me avancimin e institucionit siç është, zhvillimi i qëndrueshëm, eko shkolla, familjet e kujdesshme, etj..
“Sot, ndërsa festojmë këtë 2-vjetor, le të kujtojmë se çdo moment që kalojmë së bashku është një investim në të ardhmen e fëmijëve tonë. Le të vazhdojmë të ndihmojmë ata të rriten, të mësojnë dhe të shprehin veten në mënyra të ndryshme. Falënderoj të gjithë për mbështetjen që i keni dhënë kopshtit tonë. Le të shpresojmë dhe të besojmë për shumë vite të tjera të suksesshme së bashku” ka thënë Junçaj.
Ndërkaq, ai me rastin e shënimit të Ditës së Kopshtit, është ndalur edhe tek veprimtaria e shumëvjeçare e edukatores, Zojë Camaj e cila e përmbylli karrierën e saj, duke u pensionuar. Ai është shprehur se edukatorja në fjalë gjatë karrierës së saj, nuk ka kursyer mundin dhe vullnetin për të edukuar dhe mësuar gjenerata të reja.
“Në fillim të karrierës së saj, edhe pse në kushte të vështira, ka dhënë dituri dhe ka qenë një frymëzim i madh për të gjithë, sa që për të gjithë banorët e Tuzit, kopshti është njohur me emrin e saj. Ajo nuk ka qenë vetëm një edukatore e mirë, por edhe një mentore, koordinatore dhe një mike shumë e mirë. Nuk do t’i harrojmë kurrë kujtimet e bukura dhe momentet që i kaluam së bashku” tha ndër të tjera, Junçaj.
Ai ka shtuar se, i janë mirënjohës znj. Camaj për gjithë kontributin që ajo ka dhënë për edukimin e shumë gjeneratave të fëmijëve.
t. u.