Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe përfaqësuesi i firmës “Marecon” me seli në Rijekë, Ivan Zhigo, kanë nënshkruar javën e kaluar kontratën për hartimin e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e portit në lagjen Lima.
Kryetari Nimanbegu e ka cilësuar këtë si një ditë historike për qytetarët dhe qytetin e Ulqinit, sepse sipas tij, kanë nënshkruar “fillimin e realizimit të aspiratave tona, ëndrrën që gjenerata të tëra e kanë pritur, dhe nga sot do të fillojmë ta bëjmë realitet, duke ia kthyer Ulqinit traditën shekullore të detarisë”.
Nga ana tjetër, Zhigo ka thënë se kompania “Marecon” ka një përvojë 30-vjeçare në përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe se ajo do të japë më të mirën për realizimin e studimit që ka të bëjë me portin e Limanit.
Nga Komuna e Ulqinit kanë bërë të ditur se në bazë të kontratës parashihet që studimi të jetë i gatshëm brenda 90 ditëve, ndërsa vlera e projektit është 82.280 euro.
(Kohapress)